Humbi njërën dorë në aksident, luan futboll profesionist në Rumani

Dje u luajt një ndeshje e Kupës së Rumanisë, mes Petrolulit dhe Miovenit. Bëhet fjalë për Petrolulin që u ndesh me Flamurtarin në Europa League para pak vitesh dhe ishte një ndër klubet më të pasur në Rumani, por vitet e fundit ka falimentuar, është riemërtuar Petrolul 52 dhe tashmë është në divizionin e tretë, duke luftuar për ngjitje një kategori më lart.

Dje Petroluli u eliminua pas penalltive, diçka normale, pasi Mioveni luan një kategori më lart. Megjithatë, ndeshja e djeshme përfundoi në qendër të vëmendjes për një arsye tjetër: luajti 9 minutat e fundit të ndeshjes edhe sulmuesi 18-vjeç Kosmin Lambru, i cili ka një histori fatkeqe, por është edhe një histori suksesi.

Në moshën 9-vjeçare pësoi një aksident rrugor, pasi një kamion e goditi dhe pas operacionit në spital, ishte e paevitueshme humbja e njërës dorë, nga bërryli e poshtë. Kosmin nuk u dorëzua, vazhdoi të luante futboll, edhe me një dorë, duke ia dalë mbanë, aq sa u bë pjesë e Petrolulit në sezonin 2015-2016 dhe debutoi në kampionatin rumun.

Sezonin e shkuar Lambru shkoi në huazim te CS Blejoi dhe shënoi 26 gola, ndaj Petroluli e ka kthyer në shtëpi dhe i ka firmosur një kontratë profesioniste, 4-vjeçare, e para në karrierën e djaloshit që ka realizuar një ëndërr. Me protezë në vend të dorës, zbriti në fushë në minutat e fundit të kohës së rregullt dhe tregoi se një problem i madh në dukje, mund të kalohet me shumë punë dhe vullnet të hekurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *