Humbi mundësinë e kualifikimit, sulmuesi i Maqedonisë nuk mërzitet: Do mundim Kosovën!

Maqedonia e Veriut “i ka larë” duart për kualifikimin e menjëhershëm drejt Europianit me kualifikueset. Matematikisht ende në garë, por gjasat që të ndodhë janë thuajse zero në bazë të llogjikës.

Ajo humbje ndaj Polonisë në transfertë në shifrat 2-0, mbylli edhe një ëndërr, por vetëm njërën derë të saj. Pasi Maqedonia e Veriut ka edhe një shans tjetër për të arritur në Europian, përmes Ligës së Kombeve. Atje do të jetë një përballje me Kosovën në gjysmëfinale dhe më pas për të diskutuar finalen.

Sulmuesi Ilija Nestorovski, nuk ishte edhe aq i zhgënjyer me humbjen që në fakt i hoqi mundësinë e kualifikimit të menjëhershëm duke u bërë shumë optimist:

“Maqedonia ka nisur të duket një Kombëtare serioze. Ne kemi luajtur mirë në Ligën e Kombeve dhe këto kualifikuese. Të mundim Israelin dhe të marrim vendin e tretë, që është një sukses pasi unë nuk e mbaj mend se kur kemi përfunduar më parë këtu. Pas kësaj, kemi edhe një tjetër ndeshje. Luajmë me Kosovën në shtëpi. Mund të ndeshemi me ekipe të mëdha, me Kombëtare të mëdha. Ne e mundim Kosovën në shtëpi dhe pastaj shkojmë në finale”, ka thënë Nestorovski. /Sport Ekspres/