Hoxhaj: Flamurtari e di si fitohet në Durrës

 

Sulmuesi vlerëson skuadrën ku bën pjesë: Të përmbysësh disavantazhin me 10 vetë brenda pjesës së parë tregon se ke forcë për objektiva madhorë

Elton Nika

Flamurtari meritonte ndoshta diçka më shumë në dy javët e para të kampionatit, ku ka marrë 3 pikë, me një humbje në Korçë dhe fitoren në Ballsh me Lushnjën. Vlonjatët janë përgatitur për një sezon kompetitiv dhe kanë punuar e investuar jo pak gjatë verës. Tani presin të marrin rezultate dhe javë pas jave do të duket gjithçka, edhe pse në radhët e drejtuesve dhe ekipit ekziston bindja se ky është një Flamurtar, që garanton për të qenë në Europë.

HOXHAJ – Sulmuesi vlonjat, Ardit Hoxhaj, mendon se skuadra meritoi plotësisht fitoren me Lushnjën, por edhe në Korçë, me atë çfarë dha në fushë, duhej të kishte marrë një pikë: “Them se kemi luajtur mirë në të dyja ndeshjet. Pjesa e parë në Korçë ishte shumë e mirë dhe duhej të kishim shënuar dhe marrë rezultat. Tri pikët me Lushnjën i cilësoj si një fitore karakteri, duke parë si shkuan gjërat. Janë luajtur vetëm dy javët e para të kampionatit dhe kemi 3 pikë, por jam i mendimit se meritonim më shumë. Ndaj Skënderbeut jemi dëmtuar shumë shpejt, por kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë. Megjithatë, ky është futbolli. Treguam karakter me Lushnjën, sepse nuk është e lehtë të jesh në disavantazh të një goli dhe me 10 lojtarë për 75 minuta e më pas të përmbysësh gjithçka, madje pa u mbyllur pjesa e parë. Duhet të jemi të kënaqur për atë ndeshje, pavarësisht faktit se shumë thonë se përballë ishte Lushnja. Ishte përballë një skuadër Superlige, ku çdo kundërshtar ka forcë”, – thekson fillimisht sulmuesi Hoxhaj.

AKTIVIZIMI – “Jam aktivizuar në pjesën e dytë nga trajneri Duro dhe kam luajtur 90 minuta në kupë, duke realizuar edhe një gol. Jam i kënaqur dhe mendoj se në kampionat minutat do të vijnë. E rëndësishme është skuadra dhe për këtë qëllim luftojmë të gjithë. Te Flamurtari ndihem shumë mirë, sepse jam te skuadra e qytetit tim. Shpresoj që gjërat të shkojnë sa më mirë, jam i huazuar nga Skënderbeu dhe më vonë do të shohim çfarë do të bëhet. Tani po mendoj vetëm për sezonin e ri”, – vazhdon Hoxhaj.

TEUTA – “Me Teutën është një ndeshje shumë e vështirë e delikate. Teuta është në krye, me 6 pikë të merituara. Askush nuk të fal asgjë, pikët duhet t’i meritosh në fushë. E shoh një përballje të vështirë dhe shumë të rëndësishme, ku gabimi ndalohet, sepse e humbet ndeshjen. Megjithatë, jam i bindur për rezultat pozitiv, madje për fitore. Pse jo? Flamurtari edhe herë të tjera ka fituar në Durrës. Jam optimist dhe besoj shumë te skuadra,q ë e them me bindje se është e denjë për të qenë në Kupat e Europës. E rëndësishme është t’i marrim ndeshjet me radhë”, – ka përfunduar sulmuesi i Flamurtarit, Ardit Hoxhaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *