Hoxha: Tiranën e dua në Superiore, tifozët të mendojnë ç’të duan!

Partizani do të presë pasditen e nesërme Tiranën në derbin ndoshta më të veçantë për të kuqtë, pasi në fund të 90 minutëshit, ata mund të festojnë titullin kampion që mungon prej 26 vitesh. Në kuadër të sfidës përpara mediave foli kapiteni Alban Hoxha, i cili preku disa tema.

TITULLI NË DERBI – “Normalisht që nuk do kishte gjë më të bukur. Kaq vite pritje dhe një vit i gjatë me probleme e strese. Tani mund ta kurorëzojmë në derbi. Shpresoj që nesër të fitojmë trofeun, por duhet të jemi me këmbë në tokë.”

DERBI I VEÇANTË – “Çdo derbi është i veçantë. Kemi pasur mundësi dhe kemi qenë afër titullit, por kësaj here besoj se është ndryshe. Është derbi i veçantë, pasi nëse fitojmë nesër kurorëzohemi dhe siç e thashë më parë është pritje e gjatë. Mendoj se në këto gjashtë vitet e mia këtu është derbi më i bukur.”

RËNIA E MUNDSHME E TIRANËS – “Janë përralla që neve na bëhet qefi kur bie Tirana. Dinamo, Tirana duhet të jenë në Superligë. Uroj që mos të jemi ne shkaku që Tirana të bjerë nga Kategoria. Këtu stadiumet është vështirë të mbushen dhe një ndeshje derbi e bën bukurinë e kampionatit shqiptar që të ndiqet gjithandej. Për mua më e mira është të dalim kampionë ne edhe Tirana të jetë në Superligë.”

TIFOZËT – “Edhe në rast se tifozët nuk e presin mirë që unë them se Tirana duhet të jetë në Superligë, ky është mendimi im. Në futboll është e vështirë të japësh premtime, pasi është i paparashikueshëm. Thjesht i siguroj që do të japim maksimumin të fitojmë ndeshjen dhe të festojmë të gjithë bashkë.”

SIGURIA NË PORTË – “Me moshën që kalon rritet dhe siguria. Nuk është e lehtë të jesh portier i Partizanit. Besoj kjo është mosha ideale për një portier dhe unë besoj jam në maksimumin tim.”

PENALLTIA DHE GOLI QË U PËRMEND NGA TRAJNERI GEGA – “Do të jetë një surprizë e bukur nëse do të ketë penallti. Shpresoj të ketë dhe do jetë diçka e bukur, që do të mbetet në mendjen e të gjithëve.”

MORALI NË EKIP – “Morali është shumë i lartë dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Nuk po fluturojmë se po dalim kampionë. Jemi të qetë. Edhe nesër nuk kemi presion dhe do të luajmë shumë thjeshtë.”

RIVALËT – “Mendoj se Kukësi ka qenë rival i fortë për ne. Skënderbeu dhe Teuta e nisën mirë, por ngecën rrugës. Nuk ka qenë problemi që nuk ka pasur rivalë, por ne bëmë shumë pak gabime. Normalisht kur vjen shkëputja, nisin të bëhen edhe alibitë që nuk ka pasur rivalë. Nuk ka pasur asnjë ndeshje të thjeshtë.”

ARBITRAT – “Më vjen mirë që nuk jemi marrë me arbitrat. Ashtu edhe ekipet e tjera dhe është gjë e mirë kjo.”

NJË HUMBJE E MUNDSHME NË DERBI RREZIKON TITULLIN – “Nuk mendoj se do ndikojë për keq, pasi fati jonë është që jemi 10 pikë përpara dhe kanë mbetur vetëm katër ndeshje. E mira është që ta mbyllim nesër, do të ishte qershia mbi tortë. Ne duam titullin, se si e festojmë më pas, me humbje apo fitore është në plan të dytë. Normalisht që fitorja do të gëzonte akoma më shumë, por primar është titulli.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *