Horizont i zi, përjashtimi nga kupat fundos Milanin dhe pronarët kinezë

Epoka kineze e Milanit nisi ters dhe do të përfundojë shumë keq, ndoshta që këtë vit. Duket e pabesueshme, por tashmë goditja që UEFA i ka dhënë Milanit ngre pikëpyetje të mëdha mbi vazhdimësinë e projektit të nisur verën e shkuar.

Besimi te Jonghong Li është në pikën më të ulët, UEFA është e bindur që ai nuk i ka mundësitë që të shlyejë huanë e marrë nga Fondi Elliott.

Me siguri kjo do të çojë te përjashtimi i Milanit nga kupat e Europës, edhe pse në klubin kuqezi po bëjnë gjithçka për t’ia hedhur vetëm me një gjobë.

Sido që të shkojë, këtë verë duhen bërë llogaritë se si do të vazhdojë Milani me këta pronarë, sepse fondi amerikan që ka dhënë huanë tani ka nisur të kërkojë blerës të rinj për Milanin, duke e parë që investimi i vet nuk është i sigurt.

Nëkëtë mënyrë, për Milanin janë 4 mundësi në horizont, shkruan Sportmediaset: 1) Jonghong Li gjen urgjentisht dikë të aftë të shlyejë borxhin ndaj Elliott; 2) Elliott toleron dhe shtyn afatin e skadimit të huasë; 3) Elliott merr frenat e Milanit në pritje që klubi të shitet; 4) Mundësia e fundit nuk duet përmendur fare, sepse bëhet fjalë për falimentim total.

Para 30 vitesh Silvio Berluskoni e mori Milanin në llum dhe e ktheu në majën e botës. Duket se historia po përsëritet, por kush do të jetë shpëtimtari?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *