Holandezët dinë si të bëjnë biznes, Frenki De Jong pasuron klubin modest

Mesfushori i Ajaksit Frenki De Jong është holandezi më i përfolur në planet, kjo të paktën gjatë ditës së sotme. Gjithë kjo famë erdhi pas lajmit të publikuar ditën e sotme nga gazeta prestigjioze “Telegraaf”, që zbardhi marrëveshjen e arritur midis drejtuesve të PSG-së dhe Ajaksit për shitjen e kartonit të tij për 75 milionë euro.

Nga ky transferim do të përfitojë 7.5 milionë euro klubi i Uilem II, pasi De Jong është një produkt i akademisë së tyre. Në verën e vitit 2015, përfaqësues të Ajaksit “trokitën” në derën e skuadrës modeste nga qyteti i Tilburgut për të blerë kartonin e lojtarit.

De Jong para tre vitesh në debutimin e tij me Uilem II.

Drejtuesit e klubit nga Amsterdami ishin të gatshëm të paguanin për kartonin e tij, por drejtuesit e Uilem II vendosën ta shisnin lojtarin për shumën simbolike 1 Euro, ndërsa në këmbim morën 10% të kartonit të lojtarit në rast shitjeje.

Në dy vitet e para, De Jong nuk pati mundësi të çante në skuadrën e parë të Ajaksit dhe u duk se shitja e kartonit për vetëm një euro kishte qenë një marrëzi. Megjithatë, në sezonin e tretë, situata ndryshoi krejtësisht. Mesfushori zuri një vend në formacion e Ajaksit dhe pjesa tjetër është histori.

Shitja rekord e klubit të Uilem II është belgu Musa Dembele, i cili u transferua 11 vite më parë drejt AZ Alkmar për 5 milionë euro.  Tani skuadra nga qyteti jugor i Tilburgut, do të marrë 7.5 milionë Euro nga vetëm 1/10 e shitjes së De Jong, dhe e gjitha kjo falë rritjes fenomenale që ka pësuar industria e futbollit në dekadën e fundit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *