Holanda shtang Gjermaninë e Francën, “tulipanët” kalojnë në finale

Kombëtarja holandeze udhëtoi drejt Gelsenkirshen me një qëllim e vetëm për të evituar humbjen në përballjen me “fqinjët” gjermanë, pasi në kundërt kreu i grupit dhe “bileta” për në fazën finale të “Nations League”, do t’i shkonte francezëve. Në fund djemtë e Ronald Kuman e përmbysën me sukses misionin e tyre duke barazuar  2 – 2 ndaj “pancerave” edhe pse ishin në disavantazhin e  dy golave.

Pjesa e parë foli për vendasit. Skuadra e Joakim Lëv nuk i mungonte motivimi edhe pse gjithçka për ta kishte mbaruar. Goditja e fortë e Timo Verner mposhti Silesen në minutën e 9-të, ndërsa Sane dyfishoi shifrat. “Tulipanët” nuk arritën të merrnin  më kontrollin e lojës gjatë pjesës së parë, por në të dytën ndryshoi situata.

Holanda rimori kontrollin e lojës, por të çaje mbrojtjen e gjermanëve nuk ishte aspak lehtë. Promes rindezi shpresat e holandezëve për vendin e parë duke ngushtuar diferencën në minutën e 85-të me një goditje të fuqishëm që la të shtangur Manuel Nojerin. Kehrer mund të kishte shënuar golin e tretë për gjermanët, por fati kësaj radhe ishte me “tulipanët”. Heroi i takimit ishte Virxhil Van Dajl. Qendërmbrojtësi u gjend i vetëm para portierit Nojer pas një harkimi të Vilhenës dhe nuk gaboi duke i siguruar vendit të tij “biletën” për në finalet e “Nations League”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *