Hokej, miliona, tifoze superseksi: ekipi i “mbeturinave” drejt titullit kampion në Amerikë!

E imagjinoni dot sikur në Itali të krijohet një ekip i ri, duke marrë një lojtar rezervë nga gjithë ekipet e tjera të Serisë A, dhe më pas të jetë në garë me Juventusin për titull? E pamundur, apo jo? Pikërisht kjo po ndodh në NHL, Ligën Profesioniste të Hokejit në Amerikën e Veriut!

Ekipi është Vegas Golden Knights, “Kalorësit e Artë të Las Vegasit”, dhe mund të quhet pa asnjë dyshim një histori e bujshme, më e bujshmja e sportit, edhe për faktin se deri tani Las Vegasi nuk ka pasur kurrë ekip sportiv.

Kjo skuadër, e formuar me “mbeturinat” e ekipeve të tjera, është tashmë në finalen e kampionatit dhe është duke shkuar drejt titullit, sepse e ka fituar finalen e parë kundër Washington Capitals.

HISTORIA E ÇMENDUR – Si në filma, Vegas Golden Knights u krijua para një viti dhe pronari Bill Folej pagoi 500 milionë dollarë që NHL të zgjeronte kampionatin në 31 skuadra. Duhet sqaruar se NHL nuk funksionon si kampionatet në Europë, me ngjitje-zbritje nga kategoria, ndaj është shumë e vështirë që të ndryshojë numri i ekipeve. Folej vendosi të bëhej i pari person që bën Las Vegasin me një ekip profesionist, qytet i famshëm për sportin e boksit dhe për kazinotë.

Por si u ndërtua ekipi? Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër, NHL urdhëroi gjithë ekipet e kampionatit që të lejonin Vegas Golden Knights që të zgjidhte një lojtar nga çdo ekip. Kushti i vetëm: çdo ekip kishte të drejtë të bënte një listë me 12 lojtarë të paprekshëm, pra më të mirët, ndërsa Vegas Golden Knights duhej të zgjidhte mes të mbeturve jashtë liste, tepricave. Pikërisht këtu qëndron suksesi i Vegas Golden Knights, sepse lojtarët luajnë si një grup i bashkuar, me një vendosmëri të paparë, sepse çdo ndeshje e kanë kundër ekipeve që nuk u dhanë besim dhe i nxorrën në listën e lojtarëve pa vlerë.

Menaxher ekipi u zgjodh Xhorxh MekFi dhe trajner Xherard Galant: zgjedhje perfekte, sepse janë dy personazhe të njohur dhe me shumë eksperiencë, që ndërtuan një skuadër të re dhe të uritur për sukses. Tani Vegas Golden Knights ka fituar 51 nga 82 ndeshjet e sezonit, rekord absolut për një ekip debutues, jo vetëm në hokej në akull, por edhe sportet e tjera të mëdha në Amerikë: futboll amerikan, basketboll e bejsboll.

Në Las Vegas e marrin me humor faktin që janë kaq të fortë: “Me siguri shumë skuadra e kalojnë natën para ndeshjes nëpër kazinotë dhe klubet e natës në Las Vegas dhe ditën e ndeshjes me siguri disa lojtarëve nuk u ka dalë ende pija”.

Pallati i ri i sportit T-Mobile Arena është kthyer në një furrë, me 18.000 tifozë për ndeshje, asnjë vend bosh, me shumë turistë që nuk duan ta humbasin shansin për të parë ndeshje kaq të veçanta. Tifozët VIP sa vijnë e shtohen, çka natyrisht shton edhe tifozet superseksi, që nuk mund të humbasin një rast të tillë për të rënë në sy.

Modelja braziliane e Playboy, Ana Braga, tifoze e Vegasit

BASTET E PABESUESHME – E mbani mend Lester Sitin në Angli? Njësoj si atëherë, edhe Vegas Golden Knights kuotohej 500 para këtij sezoni për të fituar titullin, por nëse ia del, do të ketë bërë diçka më të çmendur se Lesteri, sepse Golden Knights nuk ekzistonin deri verën e shkuar!

Tani, nëse Golden Knights dalin kampionë, kompanitë e basteve në Amerikë do të humbasin shifra të mëdha. William Hill e kuotoi Vegas Golden Knights me 250 që fitonte titullin dhe “ishte një kuotë shumë e ulët”, thotë shefi i përpilimit të kuotave për William Hill, Nik Bogdanoviç, sepse “kuotat reale duhej të ishin 2500, për një ekip që shihej si më i dobëti i kampionatit nga ekspertët”.

Tani Golden Knights janë në avantazh në finalet e titullit dhe nëse fiton edhe 3 ndeshje, del kampion dhe William Hill humbet deri në 2 milionë dollarë: ndër të tjera, një bastvënës ka luajtur 1000 dollarë me kuotë 50, një tjetër 200 dollarë me kuotë 200!

Edhe kazinotë në Las Vegas kanë bërë të njëjtin gabim, duke mos besuar fare te ekipi i ri, ndaj parashikohen 5-7 milionë dollarë humbje, çka do të ishte ndoshta shifra më e madhe e humbur ndonjëherë për baste të tilla, por nuk është ndonjë humbje e rëndë në total, sepse kazinotë kanë fitime kolosale dhe e krahasojnë humbjen nga titulli i Golden Knights me një fundjavë të keqe në ndeshjet e kampionatit.

Çudia më e madhe ka ndodhur me një bastvënës, i cili ka luajtur 100 dollarë që Vegas shkonte në finale dhe 100 dollarë që titullin e fiton finalisti tjetër, Washington Capitals. Pra, bastvënësi ka fituar 30 mijë dollarë me Vegas (kuota 300) dhe pret të fitojë edhe 1000 dollarë nëse kampion del Washington Capitals (kuota 10).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *