Hofenhajmi befasoi kampionët, Ançeloti paguan rotacionin dhe fatin

0

Për herë të parë në histori, Hofenhajmi ka arritur të mundë Bajernin e Mynihut, një sukses historik për klubin e vogël, që për trajner ka një “fëmijë”, 29-vjeçarin Julian Nagelsman.

Kapiteni Arjen Roben doli kokulur nga fusha, si gjithë shokët e tij, ndërkohë që Hofenhajmi sheh gjithnjë e më pranë kualifikimin për në Ligën e Kampioneve.

Por si u bë e mundur kjo humbje historike për kampionët e Gjermanisë? Ndoshta përgjigja është fillimi katastrofik i ndeshjes. Mats Humels pranoi pas ndeshjes: “E nisëm shumë keq, humbëm çdo top në minutat e para dhe lejuam Hofenhajmin të hynte në zonë me shumë lehtësi”.

Portieri Sven Ulraih bëri një gabim fatal në rastin e golit vendimtar, shënuar nga kroati Kramariç, sepse gjuajtja nuk ishte e pandalshme, por zëveëndësi i Manuel Nojerit nuk e pa në kohë dhe nuk ishte pozicionuar si duhej. Sipas tij, ishte çështje fati: “Gjuajtja mori një trajektore të çuditshme, dukej sikur do të shkonte mbi traversë, por u ul në momentin e fundit”.

Po Ançeloti? Ai kishte pjesën e vet të fajit, sepse trajneri italian la jashtë disa titullarë (Lam, Boateng e Riberi), ndërkohë që ktheu në formacion portugezin Renato Sançes, i cili bëri shumë gabime dhe dukej qartë që nuk ishte i qetë.

U befasuam, Hofenhajmi luajti me intensitet shumë të lartë dhe vetëm në pjesën e dytë u përmirësuam duke dominuar, por në futboll shpesh e paguan kur gabon një pjesë loje”, shpjegoi Ançeloti pas ndeshjes.

Gabuam totalisht, ishim me fat që përfundoi 1-0”, shtoi Roben, dukshëm i mërzitur.

Megjithatë, Bajerni mbetet i pari, shumë larg ndjekësve, ndaj një humbje në Hofenhajm mund t’ia ketë vlejtur, nëse janë kursyer energjitë për Ligën e Kampioneve.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here