Historike, “Maradona kinez” shënon në Spanjë

Ka rreth një muaj që Kina është mbërthyer para televizorëve, për të ndjekur kampionatin spanjoll. Barcelona, Reali, Atletiko? Jo, këta janë bajatë, tashmë sytë janë tek… Espanjoli!

Klubi i vogël nga Barcelona ka blerë këtë janar nga Shanghai SIPG kampion sulmuesin Lei Wu. Një 27-vjeçar i talentuar, që vlen edhe për në Spanjë, ndaj nuk është një operacion thjesht komercial.

I kanë mjaftuar 4 ndeshje Leit për të bërë atë që di më mirë, të shënojë, sepse nuk i shënoi kot 27 gola në 29 ndeshje kampionatin e shkuar, edhe pse Kina nuk ka ndonjë kampionat me mbrojtje të hekurta.

Sot Espanjoli u ndesh me Vajadolidin dhe Lei shënoi golin e tij të parë në Europë. Një gol për histori, sepse Lei është i pari kinez që shënon në futbollin spanjoll.

Tashmë edhe Europa po njeh Lein, atë që në Kinë e kanë idhull dhe shkojnë deri aty sa e quajnë “Maradona kinez”, apo lojtari më i mirë në historinë e Kinës.

I rritur te Shanghai SIPG, Wu Lei dha kontribut të jashtëzakonshëm për të thyer hegjemoninë e Guangzhu Evergrandes sezonin e shkuar, ndërsa debutoi në futbollin profesionist në moshën 14 vjeç e 287 ditë.

Gjashtë vite me Shanghai SIPG, 120 gola në 217 ndeshje dhe koha për hapin e jetës, me mijëra tifozë kuriozë në Spanjë dhe nja 40 milionë të tjerë që e ndjekin çdo ndeshje nga Kina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *