Historike: Arbitri shqiptar, në ndeshjen e grupeve në Europa League

Shqipëria regjistron një tjetër arritje të madhe në arenën ndërkombëtare. Nuk bëhet fjalë për përfaqësuesen apo klubet, por sërish mbetemi në kuadër të futbollit të luajtur. Këtë herë është arbitri Enea Jorgji, ai që realizon diçka të paprecedentë.

34-vjeçari do të drejtojë ndeshjen e fazës së grupeve në Europa League, ndërmjet AEK Larnakas dhe Ludogorets, e cila do të luhet të enjten e 25 tetorit në Qipro. Takimi i vlefshëm për Grupin A dhe që i shërben dy skuadrave për të siguruar fitoren dhe për të qëndruar në garë, është i pari i këtij lloji për një arbitër shqiptar.

Trupa e arbitrave shqiptarë do të plotësohet nga asistentët Denis Rexha dhe Redi Avdo. Gjithashtu pas portave do të jenë dy arbitrat Juxhin Xhaja dhe Kridens Meta, ndërsa gjyqtar i katërt është caktuar Ridigert Çokaj. Në total gjashtë arbitra dhe asistentë, për një kthesë historike.

Asnjëherë më parë, “xhaketat e zeza” të futbollit shqiptar nuk kishin arritur të drejtonin në nivele të tilla. Tashmë këtë e realizon Jorgji, i cili prej vitesh është një prej tre arbitrave në vend që mbajnë stemën e FIFA-s dhe si askush tjetër është i përfshirë në listën e gjyqtarëve të kategorisë së dytë.

Ky është një tjetër rekord për “bilbilin” nga Elbasani, që vetëm dy muaj më parë kishte regjistruar një tjetër arritje të paprecendentë, pasi u caktua nga UEFA për të drejtuar ndeshjen e fazës “play off” të Europa League ndërmjet Sevijas dhe Zalgiris Vilnius. Nëse vazhdon të arbitrojë në nivele të larta dhe me vlerësime të mira, Enea Jorgji mund të plotësojë kriteret për t’u ngjitur në kategorinë e parë të arbitrave, ndoshta për t’u bërë i pari shqiptar që do të drejtojë edhe një ndeshje në grupet e Champions League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *