Historia “vagabondit” milioner të Evertonit, si futbolli e shpëtoi nga rruga e drogës

Evertoni ka transferuar brazilianin Riçarlison, duke paguar 40 milionë euro tek ekipi i Uatfordit. 21-vjeçari luan si sulmues krahu dhe mbas një sezoni shumë të mirë me Uatford, ai është gati të nisë aventurën me ekipin nga Liverpuli.

Braziliani ka lindur në Espirito Santo, një zonë e varfër dhe me kriminalitet të madh. Ai ka kaluar një fëmijëri të vështirë dhe futbolli i ka shpëtuar jetën. Moshatarët e tij shisnin dhe konsumonin drogë, ndërsa ai shiste akullore më nënën e tij. Shumë shokë i kanë përfunduar në burg, e shumë të tjerë kanë vdekur.

“Shumë prej miqve të mi ndodhen në burg, ndërsa disa të tjerë kanë vdekur. Unë mund të përfundoja si ata, por futbolli më shpëtoi jetën. Në moshën 7-vjeçare babai më bleu 10 topa dhe nisa të luaja futboll. Më kujtohet që ecja rrugëve dhe ata më thërrisnin vagabond dhe bandit. Falë zotit nuk u bëra një djalë i keq si ata. Tashmë ndodhem në Premier Ligë dhe ndihmoj familjen time. Kjo është ajo që ka rëndësi dhe ndihem mirë që nuk i dëgjova miqtë, të cilët mendonin vetëm për gjëra të këqija.

Ata shisnin drogë dhe kjo punë u jepte para të shpejta dhe të shumta, por e dija që ishte diçka e gabuar dhe unë shisja akullore dhe çokollata me nënën time.

Miqtë më ngacmonin dukë më thënë: ‘Mos u bë si një vajzë e vogël, por hajde dhe tymos me ne, hajde shit më ne dhe bëhu me para’. Por unë iu përkushtova futbollit dhe ja ku jam sot”, mbyll tregimin e tij, Riçarlison, sulmuesi më i ri i Evertonit.

Këta të fundit kanë afruar një futbollist me të ardhme, por edhe me këmbë në tokë. Nga lagjet e varfra të Brazilit në Premier Ligë. Djaloshi ka punuar, sakrifikuar, vuajtur dhe ka mentalitetin e duhur për t’u rritur akoma dhe më shumë. Ky është 21-vjeçari i sulmit të Evertonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *