Historia me Partizanin jo edhe aq “përrallë”, sot Hachim Mastour-in ta japin si dhuratë mes miqsh

Hachim Mastour është një rast krejtësisht i veçantë që vjen nga Italia, i cili shërben si një shembull për të rinjtë. Të paktën deri tani, leksioni është i qartë: “Mos u bëni si Mastour”. Videot në “Instagram” dhe rrjetet sociale, sado fantastike dhe tejkalimi i imagjinatës që të jenë, nuk mund të bëjnë kurrë futbollist.

Lojtari që asokohe ishte pjesë e Milanit, ishte kampioni i rrjeteve sociale. Të gjithë masnin kohën për ta pritur që të luante me ekipin e parë, por papritur Mastour u zhduk. Në fakt, nuk lindi kurrë. Vetë Gatuzo do t’i jepte një “shuplakë”, duke ia thënë haptazi se nuk mund të bëhej kurrë lojtar në këtë mënyrë. “E kam kërcënuar sepse më shumë është bërë i famshëm duke bërë video sesa duke luajtur futboll”.

Ndërkohë pak kohë më parë doli në Shqipëri lajmi se një menaxher italian ia kishte ofruar Partizanit në huazim këtë lojtar, por stafi i të kuqëve nuk kishte pranuar. Në fakt, kjo histori nuk është edhe aq “përrallë”, pavarësisht se emri i Mastour do të shiste shumë për Superioren dhe klubin kryeqytetas.

Sot ky futbollist jepet si dhuratë mes miqsh, ashtu siç e ka marrë në fakt edhe vetë Rexhina, klubi i Serisë C që e zotëron aktualisht. Në një intervistë për “TMË Radio”, drejtori sportiv i klubit italian, Massimo Taibi, ka thënë:

“Shoku im Domenico Barbati ma ka ofruar Mastourin dhe unë shkova të flisja me djalin. Ai donte që të bëhej futbollist, i pranoi gabimet, për të shkuarën dhe nuk folëm për para. Fatkeqësisht atë e kanë bërë fenomen kur ishte vetëm 16-vjeç. U soll nja 3-4 vite në Europë dhe në këtë moshë është shumë e vështirë. Pra përfundoi nga një lojtar premtues, në një “yll” pa kontratë. Është e qartë se ka të vështirë që të gjejë vend tek ne kur sulmuesit po bëjnë mirë, por po vjen në rritje. Është një lojtar që paradoksalisht mund të na shërbej në kategori më të lartë sesa në Serinë C, por koha e tij do të vijë. Ia thashë hapur se nuk ka bërë asgjë në këto 22 vute dhe se duhet të përvesh mëngët, ose ndryshe të largohet nga futbolli. Ka motivim dhe dëshirë të madhe, këtë gjë po ma konfirmon ditë pas dite edhe vetë trajneri. Prisni shpërthimin e Mastour në çdo moment”, ka mbyllur Taibi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *