Historia e Shqipërisë hidhet poshtë me 4 fjalë, analisti Starova: Armenia na hapi portën

Pas atij dështimi me ekipin e Laçit dhe daljes nga objektivat, Starova ka marrë rolin e ri, atë të analistit. Gjithmonë gjendet i ftuar te “Pressing”, që transmetohet në “ABC Neës”. Tashmë Starova ka marrë rolin e analistit dhe gjithë puna e Shqipërisë në kohën e De Biazit hidhet poshtë me katër fjalë të vetme: “Armenia na hapi portën”.

Pavarësisht se Shqipëria arriti të fitonte ndaj Rumanisë në Europian, e humbi për fare pak barazimin me Zvicrën dhe pse ishte me 10 lojtarë, apo faktit që Franca fitoi vetëm në minutat e fundit në shtëpi dhe në një ndeshje Europiani të mirëfilltë, e gjitha kjo cilësohet si fat.

“Ne shkuam me fat në Europianin e 2016-ës. Armenia na ka hapur portën. Sipas mendimit tim, pas periudhës De Biasi, ne u nxituam me vendosjen e Panuçit. Panuçi s’ka qenë i madh, por ka bredh kudo dhe ka bërë emër. Kombëtarja e Shqipërisë ka peshë sot dhe nuk është si para 20 viteve. Gabuam me Panuçin dhe nuk i kishim të qarta objektivat. Nuk kemi luksin e Gjermanisë, Anglisë. Italia pas dështimit vuri Mancinin dhe ishte e qartë: Vetëm lojtarë të rinj! Ne i duam të gjitha, rinovimin, trajnerin etj. Ne duhet të merrnim Rejën direkt, për të bërë rinovimin e skuadrës”, u shpreh Starova. /Sport Ekspres/