Historia e pazakontë, Anikebe: Varfanjak m***, më kthe paratë!

Futbolli njihet si një nga sportet që sjell shumë përfitime për lojtarët dhe jo vetëm. Shumica e të rinjve, sidomos në vendet ku nuk ka një ekonomi të qëndrueshme, e shohin futbollin si një mundësi për të shpëtuar nga varfëria dhe për të bërë një jetë sa më të mirë.

Të jesh një futbollist profesionist, e aq më tepër të luash në kampionate prestigjioze si Premier Ligë apo Liga e parë franceze, jo domosdo do të thotë që t’i kesh xhepat plot. Rasti që do t’iu servirim më poshtë është i pazakontë, të paktën për botën e futbollit. Viktor Anikebe akuzon në një postim në “Instagram”, ish-shokun e tij të ekipit që nuk i ka kthyer një borxh prej 10 mijë paundësh.

Ish-lojtari i Evertonit, Uest Bromuiç dhe Sandërlendit, ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke i bërë thirrje ish-shokut të tij të skuadrës, Stefan Sesenjo, që t’i kthejë paratë që ky i fundit i ka marrë borxh. Por, nuk mbaron këtu, pasi siç thotë Anikebe, lojtari nga Benini, i detyrohet dhe lojtarit të Sëlltik, Mulumbu.

Nigeriani ka luajtur së bashku me Sesenjon për tre vite tek Uest Bromuiç deri në vitin 2016, ku pjesë e ekipit ishte gjithashtu dhe Jusuf Mulumbu. Duket se marrëdhëniet miqësore mes lojtarëve janë prishur së fundmi, të paktën kështu duket nga postimi i fundit i Anikebes në llogarinë e tij në “Instagram”.

Postimi tashmë është fshirë, por sulmuesi dukej i nervozuar jashtë mase me Sesenjon, pasi ky i fundit ishte zhdukur totalisht, duke mos i dhënë asnjë qindarkë mbrapsht, as atij, as Mulumbut.

“Ky njeri, Stefan Sesenjo më detyrohet 10 mijë sterlina. Unë kam kohë që e ndjek, por ai nuk më përgjigjet as në telefon dhe nuk më kthen mesazh. Më ka mbyllur çdo formë kontakti. Ai gjithashtu i detyrohet 10 mijë të tjera dhe Jusuf Mulumbut, të cilit ende nuk ia ka kthyer. Ky është problemi me vëllezërit tanë afrikanë. Ata pretendojnë të bëjnë një jetë luksoze, ndërkohë kanë borxhe që nuk i kanë kthyer. Në qoftë se ndonjë nga ju e njeh atë, ose ka ndonjë mundësi të kontaktojë me të, ju lutem thojini që të më kthej mbrapsht ato dreq parash. Varfanjak m***!”, ka mbyllur postimin e tij i xhindosur Viktor Anikebe.

Stefan Sesenjo ka pasur një karrierë të pasur me shumë klube, ku është aktivizuar, ku bie në sy PSG e Montpelier në Francë. Lojtari afrikan nga Benini së fundmi aktivizohet me Gençerbirligin në kategorinë e dytë turke.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *