Historia e pathënë, Kutrone: I kërkova autograf dhe nuk fola dot asnjë fjalë!

Urinë për të vrapuar e shënuar dhe dëshirën e madhe për të dhënë gjithçka në fushën e blertë e sheh te pak sulmues. Milani e ka një të tillë dhe ai quhet Patrik Kutrone. 21-vjeçari ka dhënë një prononcim për “Repubblica”.

Kutrone flet për karakteristikat e tij, “dashurinë” e madhe për golin, trajnerin Gatuzo dhe shpreson që Milani të mos ndërrojë stadium. “San Siro” është historia dhe nuk ka më bukur se të luash aty. Në fund idhujt, të gjithë sulmues dhe goleadorë, përveç njërit, i cili quhet Paolo Maldini…

STILI – “Kam dëshirë të depërtoj në zonë dhe nuk dua të dal nga fusha e blertë me mendimin: ‘sot nuk dhashë gjithçka’. Nuk është se të rinjtë italianë nuk janë të uritur. Jo të gjithë ia dalin, por ka dhe lojtarë që kënaqen me aq sa arrijnë.”

STADIUMI – “Shpresoj që Milani dhe Interi të mos lëvizin nga ‘San Siro’. Aty thithet historia, një ndjenjë e papërshkrueshme, që nga hera e parë që kam zbritur aty.”

GATUZO – “Trajneri di të na japë stimujt e duhur. Milani po luan mirë. Stërvitja për t’u përmirësuar është mënyra e vetme për ta bindur Xhenaron për të luajtur më shumë.”

GOLI – “Është gjithçka për mua. Por njësoj është dhe goli i shënuar nga një shok skuadre, ose një asist i dhuruar. Gjithmonë nëse arrihet fitorja. Unë kërkoj gjithmonë topin në zonë dhe ndonjëherë takohemi së bashku.”

IDHUJT – “Idhujt e mi janë ata që shënojnë gola. Morata, Inzagi, Van Basten, Suarez, por dhe Maldini. Një herë erdhi të marrë djalin e tij, Kristianin. I kërkova autograf dhe nuk arrija të flisja asnjë fjalë nga emocionet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *