Historia e çmendur e brazilianit Tuta dhe trukimit të dështuar në Serinë A

0

Futbolli italian është në pikën e vet më të ulët prej shumë dekadash, sepse ka kohë që stadiumet janë thuajse bosh, yjet largohen me vrap për paga më të larta dhe suksesi në Europë mungon prej shumë vitesh, edhe pse Juventusi mundohet më kot të triumfojë në Champions League. Rrënim normal, për shkak të rënies së fuqisë financiare? Në fakt, nuk është aq e thjeshtë. Nëse kampionati anglez e ka lënë vite dritë pas atë italian në çdo drejtim, kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: në Itali e kanë shkatërruar me dëshirë futbollin.

Në vitet ’90, kur Italia ishte në majën e botës me klubet, kishte sinjale të kalbëzimit të sistemit dhe më i qarti ishte vendimi për të mos marrë asnjë masë për ndeshjen Venecia-Bari, më 24 janar 1999.

Personazhi madhor i atij takimi ishte Bastos Tuta një sulmues 25-vjeçar në atë kohë, i cili kishte shkuar te Venecia me shpresa të mëdha. President ishte Mauricio Xamparini, një personazh i dyshimtë, i cili ka qenë në qendër të disa hetimeve, por asnjëherë nuk është dënuar.

Tuta kishte shënuar 15 gola në 38 ndeshje te Atlétiko Paranaense, ndërsa në Itali shkoi për një pagë të ulët dhe nuk ishte titullar fiks te Venecia. Kishte shënuar vetëm 2 gola deri në atë janar të mallkuar, kur luhej një Venecia-Bari që duhej të përfundonte në barazim, sepse ashtu u leverdiste të gjithëve, pak rëndësi ka nëse për të ndarë pikët, apo për baste.

E dinin të gjithë që ndeshja ishte e trukuar, por me sa duket dikush kishte harruar t’i thoshte Tutës. Fundja, braziliani nuk po luante titullar dhe nuk shënonte prej muajsh, nuk kishte shans të bënte gjë.

Në ndeshjen e luajtur në mjegullën e Venecias, gjithçka po shkonte vaj. Pipo Maniero shënoi në fillim të pjesës së parë për Venecian, De Ashentis barazoi sapo nisi pjesa e dytë dhe pastaj, qetësi totale. Pasime në mesfushë, ritëm i ulët dhe të gjithë prisnin fundin e ndeshjes.

Aty Valter Novelino bëri një gafë: vendosi të aktivizonte Tutën në vend të Rekobës. Braziliani, i uritur për gola, por ndoshta edhe për ushqim, sepse nuk është se paguhej shumë dhe i duhej ndonjë gol për ndonjë kontratë më të mirë, bëri sikur nuk kuptonte. Maniero i tha: “Mos bëj gol, duhet të mbarojë 1-1”.

Minuta e fundit, goditje dënimi për Venecian. Në zonë të gjithë, por askush nuk mendonte se dikush do godiste portën. Kros, Tuta me kokë dhe… gol!

Arbitrat nuk dinin gjë, natyrisht, ndaj nuk mund të pritej anulimi i golit, ndërkohë që kohë nuk kishte për të barazuar. Tuta festonte, të gjithë e shihnin të habitur, dikush shkoi ta përqafonte, ndoshta duke e sharë e mallkuar.

Sapo mbaroi ndeshja, De Roza i Barit shkoi dhe ia futi me shpullë, në tunelin e dhomave të zhveshjes. Mesazhi ishte i qartë, ndërkohë që të gjithë iu afruan për ta rrahur dhe nuk kuptohej kush donte ta godiste më shumë, sepse edhe lojtarët e Venecias ishin gati ta godisnin , por dikush e tërhoqi dhe nuk e lejoi të shkonte në dhomat e zhveshjes.

Trukimi dështoi, për faj të Tutës, i cili nuk luajti më për Venecian. Xamparini e nisi për në Brazil, me fluturimin e parë që ishte në dispozicion, ndërsa Federata Italiane hapi një hetim dhe Tuta në fakt i tha të gjitha.

“Ajo ndeshje ishte e trukuar, kujtoj kaosin kur mbaroi ndeshja. Ne brazilianët nuk po kuptonim asgjë, por kur shënova, u habita që pak lojtarë më përgëzuan. Pashë pamjet filmike pas ndeshjes dhe një lojtar i skuadrës sime vendos duart në kokë kur shënova. Maniero më tha që të mos shënoja, kur u futa”, tha Tuta, por nuk e dëgjoi askush. Përfundoi aty, Venecia mohoi trukimin, Bari natyrisht bëri të njëjtën gjë. Te Bari president ishte Matarreze, një që ka miq të fortë, te Venecia ishte Xamparini, me drejtor të përgjithshëm Bepe Marotën, atë që prej vitesh tashmë është shefi i Juventusit.

Sepse si thotë i madhi Roberto Beninji në filmin “Johnny Stecchino”: Perchè qui è tutto un magna magna!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image