Hipokrizi tipike shqiptare/ E pyesin për Kosovën, Toma: I lë njerëzit të flasin, e mbyll unë

Situata e lojtarëve shqiptarë në Europë është vërtet një nga më të veçantat për të gjithë kombet e tjera afër nesh. Mënyra sesi talentet dhe familjarët e tyre luajnë duke i mbajtur derën hapur vendit që i formoi, Shqipërisë dhe Kosovës, është për t’u “admiruar”.

Rastet janë nga më të ndryshmet, megjithëse ka një hipokrizi të madhe e gjitha kjo situatë. Kombëtarja nuk mund të jetë një klub, që lojtari të marri kohë pafundësisht për ofertën më të mirë dhe pastaj të vendosë.

Pasi në këtë mënyrë e dëshmon hapur se ka bërë një zgjedhje për interesa, përfitime dhe kurrë zgjedhje zemre. Bastien Toma është një nga lojtarët e kontaktuar nga Shqipëria dhe Kosova, ndërsa luan te U-21 i Zvicrës, madje duke i dhënë edhe shiritin e kapitenit.

Po çfarë ndodhë? Në Kosovë kishin kohë që e zyrtarizuan ardhjen e tij te dardanët, megjithëse nuk kishte asgjë të vërtetë. Toma që luan me Lenjanin te Sioni, kur pyetet nga gazetarët në lidhje me Kosovën dhe një ndërrim të zgjedhjes për Kombëtaren në të ardhmen, shprehet hapur: “Sinqerisht, unë lexoja gjithçka që shkruanin mediat për mua më herët. Por tani nuk jam i interesuar, i lë njerëzit të flasin. Kjo zgjedhje do të jetë e imja dhe do e mbyll unë. Nëse bëj punë të mirë në ekip, trajneri i parë(i Zvicrës) do të më thërras”, u shpreh Toma.

Pra gjithçka e thënë qartë, se do të pritet me padurim Zvicra. Por në fakt mos të harrojmë edhe rastin e Florent Hadërgjonajt. Ky i fundit bëri dhe tha gjithçka në mbështetje të Zvicrës me deklarata të hapura dashurie për të dhe mbylljen e derës për vendin e tij, por kur te helvetët e nxorrën jashte loje, deklarata e parë do të ishte: “Gjithmonë kam ëndërruar për Kosovën, që i vogël”. Mos u habisni nëse kjo ndodh edhe me Bastien Tomën… /Sport Ekspres/