Hila: Mungesa e Telushit m’i shton përgjegjësitë, Kukësi jo një finale

Ardit Hila shënoi kundër Teutës në ndeshjen e shkuar dhe normalisht është i motivuar para ndeshjes me Kukësin. Për mesfushorin kjo nuk është një finale, madje thekson se presioni është te verilindorët. Hila flet edhe për mungesën e Telushit dhe përgjegjësitë që bien mbi të pa vlonjatin në fushën e lojës.

Sa e lartë është përgjegjësia për ju, duke pasur parasysh që mungon Telushi?
-Është ndeshja e dytë për mua që kur jam kthyer nga dëmtimi. Mungesa e Telushit ndihet, siç e tha edhe profesori. Ka qenë një nga lojtarët të mirë të ekipit tonë. Përgjegjësi ka çdo lojtar, secili që e nis nga fillimi ka përgjegjësinë e tij. Normalisht edhe unë, pasi kam luajtur shumë ndeshje titullar. Do marr përgjegjësitë e mia.

E njihni mirë ambientin në skuadrën tuaj. Rasti më i keq, një humbje, a është gati grupi ta përballojë psikologjikisht diçka të tillë?
-Ne jemi të qetë, jemi stërvitur shumë mirë, pavarësisht dëmtimeve të lojtarëve. Ka harmoni brenda grupit. Nuk besoj se një humbje me Kukësin do të prishte balancat në ekip.

Goli i shënuar ndaj Teutës ishte një çlirim për ju, pasi keni realizuar shpesh në të shkuarën. Ka një përgjegjësi më të madhe, tani që mungon shënuesi më i mirë i skuadrës, Telushi?
-Për çdo futbollist goli është çlirim, fiton më shumë besim. Edhe unë normalisht ndihem mirë pas golit ndaj Teutës. Siç e thashë, me mungesën e Telushit bie mbi mua përgjegjësi disi më e madhe. Besoj se çdo lojtar që do luajë në vend të tij, ka përgjegjësi.

Është një ndeshje e radhës, apo një finale kjo me Kukësin?
-Kjo është një ndeshje e rëndësishme, por nuk është një finale. Ne jemi të qetë, presioni është mbi ata. Të japim më të mirën, atë që bëjmë në stërvitje. Të luajmë pa presion dhe të marrim më të mirën.

Presioni është te Kukësi, por realisht me titullin kampion nuk është se jeni mësuar. Ndoshta po ndihet edhe te ju presioni…
-Nuk besoj se te ne ka presion. Kemi qenë me këmbë në tokë. Japim më të mirën dhe nuk mendojmë çfarë ndodh pas disa ndeshjes, por për ndeshjen e radhës. Jemi të qetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *