Higuain vendos në dilemë Çelsin, vendimi i FIFA-s qartëson të ardhmen

Gjatë muajit janar, Gonzalo Higuain, bëri çmos që të largohej nga Milani në drejtim të Premier Ligës. Operacioni ishte tmerrësisht i komplikuar, pasi në mes ishte Juventusi, klub që zotëron ende kartonin e argjentinasit.

Gjithsesi, gjithçka u zgjidh dhe 31-vjeçari u huazua përsëri nga kampionët e Italisë dhe u ritakua me ish-trajnerin Mauricio Sarri nën drejtimin e të cilit zhvilloi sezonin më të mirë të karrierës, duke shënuar një shifër rekord prej 36 golash me Napolin gjatë sezonit 2015/2016.

Megjithatë, teksa kanë kaluar tre muaj nga transferimi, Higuain nuk ia ka dalë të përligjë besimin e klubit londinez dhe teknikut italian. Në 13 aktivizime me blutë e Londës, “El Pipita” ka shënuar tre gola, këto të realizuar ndaj skuadrave të nivelit të dobët si Fulhem dhe Hadërsfilld. Paraqitjet e dobëta të Higuain u shfrytëzuan nga francezi Olivier Zhiru, i cili tani është pjesë e formacionit titullar.

Sipas së përditshmes angleze “Metro”, drejtuesit e Çelsit nuk janë në favor të blerjes përfundimtare të sulmuesit, por ka një kleçkë. Çelsi është dënuar nga FIFA me pezullimin nga merkatos e verës që vjen  dhe dimrit të 2020-ës. Klubi londinez shpreson që dënimi të hiqet në apel, por nëse kjo nuk ndodh, te Çelsi mund të jenë të detyruar të blejnë argjentinasin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *