VIDEO | Higuain frymëzon Milanin, Lacios i mjafton Imobile

Janë mbyllur dhe tre sfida të tjera të vlefshme për javën e tetë të Serisë A. Milan vijon formën e mirë dhe fiton ndaj Kievos, e cila nga ana e saj vijon të qëndrojë në vendin e fundit dhe duket e paqartë këtë sezon. Lacio gjithashtu dhe Sampdoria kanë arritur suksese mjaft të rëndësishme ndaj Fiorentinës dhe Atalantës.

Sfida nisi me ekipin e Gatuzos mjaft kërkues që në minutat e para, teksa Bonaventura e Çalhanoglu shpërdoruan mundësi mjaft të mira për të kaluar Milanin në avantazh. Gjithsesi në minutën e 27-të ishte i përhershmi Gonzalo Higuain, i cili pas një pasimi të Susos në zonë mposhti Sorrentinon për të dërguar Milanin në avantazh. Shtatë minuta më vonë ishte përsëri binomi Suso-Higuain, me spanjollin që gjeti mjaft bukur të lirë në zonë argjentinasin, i cili nuk fali dhe i dha golin e qetësisë kuqezinjve.

Pavarësisht avantazhit të dyfishtë kuqezinjtë nuk e kanë ulur ritmin dhe në pjesën e dytë. Bonaventura në minutën e 56-të shënoi golin e tretë, pas një goditje që pati dhe një devijim përpara se të shkonte në rrjetë. Gjithsesi, shtatë minuta më pas, një përgjumje në mbrojtje e Milanit solli golin e nderit për Kievon me Pelisier. Kuqezinjtë janë i vetmi ekip që nuk e kanë mbyllur qoftë edhe një ndeshje pa pësuar gol këtë kampionat. Milan tashmë ngjitet në vendin e 10-të në kuotën e 12 pikëve dhe me një ndeshje për të rikuperuar.

Lacio priste Fiorentinën në “Olimpico” në një sfidë jo fort të lehtë, teksa skuadra e drejtuar nga Pioli po bën mjaft mirë këtë sezon. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar dhe me raste për të dyja kampet, por për fraksionin e parë ishte i zakonshmi Imobile, ai që shënoi në minutën e 37-të për të dërguar në pushim Lacion me rezultatin 1-0. Pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat. Fiorentina provoi deri në fund të ndryshonte rrjedhën e takimit, por çdo gjë u mbyll me fitoren e Lacios, e cila tashmë e kalon dhe në renditje ekipin vjollcë, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e tretë.

Atalanta e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit priste Sampdorian në Bergamo, me dy futbollistët e kombëtares sonë që e panë ndeshjen nga stoli. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë miqtë surprizuan bergamaskët në minutën e 77-të me një gol të Lorenco Tonelit. Atalanta që vijon momentin e keq në kampionat, teksa renditen në vendin e 17-të, vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *