Higuain-Dibala, Juventusi hesht tempullin anglez!

Deri në fund! Motoja e Juventusit vijon që të respektohet dhe bardhezinjtë, ashtu sikurse trajneri i tyre kishte kërkuar (“të luhet si finale por nuk dua kohën shtesë”), gjejnë forcën për të reguar edhe pasi e gjejnë veten në disavantazh në një pjesë të parë ku frika dhe sidomos ankthi ishin padrone e trupit të futbollistëve. Dhe, për të parë goditjen e parë në kuadratin e Jorisit duhet pikërisht Higuain, ai që shënoi dy gola në Torino por edhe shpërdoroi nga pika e bardhë…

Argjentinasi devijon në rrjetë një top që Lihtshtajner kroson nga krahu i djathtë. Një gol që hesht “Ëembley” dhe që i jep atë shkëndijë djemve të Alegrit, të shndërruar në pjesën e dytë dhe të zgjuar. Sepse, 45 minutat e para, hiq një episod të dyshimtë penalltie në zonën e Totenhamit (pengim i Dagllas Kostës nga Vertongen), nuk dhuroi asgjë.

Djemtë e Poçetinos ishin më të uritur dhe me presing e agresivitet “futën” në kuadrat bardhezinjtë, duke gjetur golin me zbulimin e këtij sezoni, Son, pas shumë e shumë tentativash. Dhe, kampionët e Italisë rrezikuan që të pësonin edhe më shumë gola, por ndoshta euforia e tepërt i bëri bëm anglezëve.

Pas pushimit, gjithçka ndryshoi dhe në fushë u pa një Juventus që luante për gjithçka dhe totalisht i transformuar. Nën ritmet e tangos, festa u shndërrua në një realitet. Në fillim Higuain dhe më pas Dibala. Thuajse 3 minuta të çmendura dhe “black out” total te Totenhami. Madje, skuadra e Alegrit iu afrua edhe golit të tretë, përpara se të vendoste barrikadat në mbrojtje.

Me gjithë tentativat e vendësve, përmendur edhe një shtyllë nga ana e Kejnit, por edhe disa topa të rrezikshëm që “qethën” shtyllën pingule të Bufonit, arbitri vërshëlleu fundin pas 3 minutash shtesë.

Një përmbysje e madhe, që i jep mundësi Juventusit të vijojë aventurën në Champions, ndërsa skuadra e Poçetinos, ndoshta në mungesë përvoje, bie pas 17 ndeshjesh radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *