Hidi, një hero në Durrës: “Askush nuk na priste kështu. Shyqyr që nuk kemi VAR!”

Është një ndër liderët e Teutës befasuese që po lufton për titull, me eksperiencën dhe qetësinë e tij, duke qenë një shembull për të gjithë në ekip e në Superiore: Isli Hidi ishte sërish heroi i Teutës, sepse kundër Kukësit priti penallti në shtesë dhe ishte vendimtar edhe më herët, me një pritje madhështore në minutat e fundit, me topin që u devijua në shtyllë.

Pas ndeshjes, për “Gol pas goli” në Supersport, Hidi foli për fitoren e bukur ndaj Kukësit, duke qenë modest kur flitet për meritat e tij, ndërkohë që ka pasur edhe një batutë për lëvizjen e tij në momentin e gjuajtjes së penalltisë, moment që mund të shërbente për përsëritje të 11-metrshit.

Besoj që puna dhe dëshira të mbajnë në nivel të lartë, mua nuk më mungojnë. Gjithsesi, nuk është se po shkëlqej unë, është gjithë ekipi që po bën një kampionat të shkëlqyer, që askush nuk e priste.

“Penalltitë e pritura? Kam pritur dy, nuk isha unë në penalltinë që na shënoi Flamurtari. Duhet edhe pak fat, më ka ndihmuar deri tani, ashtu si ka ndihmuar edhe Teutën sot. Ishte një ndeshje e shkëlqyer, fitorja ishte e merituar besoj.

“Penalltia për Kukësin, a duhej përsëritur? Normalisht me rregullore nuk duhet të lëviz, por nuk ka portier në botë që nuk e hedh atë gjysmë hapi përpara. Gjithsesi, është e drejta e arbitrit të vendosë në këto raste. Shyqyr që nuk kemi VAR!“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *