Hidhërimi i gjeniut Iniesta: E dhimbshme ta mbyll kështu!

Andres Iniesta ka pranuar se ndoshta ka luajtur ndeshjen e tij të fundit Champions League, pas eliminimit të bujshëm të Barcelonës nga Roma. Skuadra katalane kishte fituar 4-1 në Spanjë, por Roma përmbysi gjithçka dhe u kualifikua falë fitores 3-0 në Itali.

Iniesta, tashmë 33 vjeç, pritet të largohet në verë dhe nuk e fshehu dot dëshpërimin pas eliminimit të hidhur, në sfidën që me shumë gjasa ishte e fundit në Europë për të.

Është një mundësi dhe për këtë arsye më dhemb edhe më shumë”, tha mesfushori legjendar për Marca-n. “Është një eliminim shumë i trishtueshëm, sepse askush nuk e priste pas fitores në Barcelonë. Kur bën kaq shumë gabime dhe nuk i përshtatesh ndeshjes, ndodh diçka e tillë. Jemi shumë të dëshpëruar dhe të zhgënjyer, sepse ishim duke zhvilluar një sezon të shkëlqyer, kishim shpresa të mëdha për të shkuar deri në fund edhe në Champions, por dështuam keqas”.

Mesfushori, i cili në tetor firmosi një kontratë “të përjetshme”, pritet të mbajë një konferencë për shtyp në javët e ardhshme, ku do të lajmërojë kalimin në Kinë ose në Lindjen e Mesme, pasi e ka të qartë se fizikisht nuk përballon dot më ritmin e lartë në kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampioneve.

I rritur te Barcelona, Iniesta ka luajtur mbi 650 ndeshje që prej debutimit në 2002 dhe ka qenë një nga shtyllat e Barcelonës që ka dominuar botën, me emra si Pujol, Çavi, Ronaldinjo e Mesi që kanë luajtur në të njëjtën periudhë me Iniestën dhe kanë fituar gjithçka, duke ndërtuar një stil loje unik, i përdorur edhe nga kombëtarja spanjolle, që gjithashtu ka fituar gjithçka të mundshme në pak vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *