Heroi i heshtur i Skënderbeut

Plaku ishte i pari që shënoi për Skënderbeun në kupat e Europës 5 vite më parë. U rikthye me një eurogol në mbrëmjen e së enjtes

Në 2012 kundër Debreçenit në Champions Sebino Plaku shënoi një gol të mrekullueshëm në fitoren 1-0 të korçarëve. Skënderbeu luante për herë të dytë në kupat e Europës. Vitin e parë kish humbur 2 herë. 0-2 dhe 0-4 kundër APOEL-it të Qipros. Goli i Plakut në 2012 nuk mjaftoi, sepse Skënderbeu humbi 3-0 në Hungari në ndeshjen e kthimit, por ka vlerë për statistikat. Atë mbrëmje nisi projekti për Skënderbeun e madhe. Sot pas 5 vitesh Skënderbeu është patjetër i madh në arenën ndërkombëtare.

Sebino Plaku është një futbollist i vështirë për t’u analizuar. Pa diskutim talenti e karakterizuar gjithnjë. Kampion me Dinamon që në 2008 me rol protagonist, më pas një karrierë e kaluar më së shumti mes rasteve të humbura dhe golave që shfaqen me peshë në moment të jashtëzakonshme. Njësoj si goli i së enjtes kundër Kairat Almatit. Në mënyrë jo dhe analoge ai gol vlejti më shumë se 600 mijë euro. Sigurisht që është një krahasim, sepse asnjëherë një gol nuk është gjithçka, dhe gjithnjë pas një goli ka një klub, trajner dhe një skuadër.

Megjithatë, Plaku është rast studimi. Pak por e sigurt është që futbollit i ka marrë pak dhe pyetja shtrohet nëse nuk ka ditur futbolli ta vjelë apo ndoshta shpesh karakteri i tij sportiv nuk e ka lejuar të shndërrohet në një sulmues elitar. Numri i golave nuk ka folur shumë për të, por patjetër që puna e tij, sjellja jo vetëm sportive, dhe angazhimi kanë merituar notën 10. Ndonjëherë në jetë e ca më shumë në futboll duhet të jesh i “keq”. Kjo lloj keqësie atij i ka munguar.

Në ndeshjen e parë në Almati Plaku qëndroi në tribunë, ndërsa në ndeshjen e kthimit e nisi nga stoli për të prekur fushën dhe për të dërguar topin në rrjetë. Tani mos prisni që Sebino të shënojë çdo ndeshje. Ai nuk mund të ndryshojë në këtë moshë. Do jetë gjithnjë aty, për të na treguar herë pas here që ka qenë një talent i madh që kushedi pse nuk u bë dot shumë i rëndësishëm. Ndonjëherë një lojtar duhet edhe për një moment. Skënderbeu duhet të ndihet mirë që e ka në bord.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *