Hënes sulmon Kostën: Është lojtar mercenar!

Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, gjithnjë flet me sinqeritet dhe hapur, sidomos për temat delikate. Së fundmi, numri 1 i klubit bavarez është treguar më i drejtpërdrejtë se kurrë për të shpjeguar pse Bajerni vendosi që Duglas Kosta këtë verë të largohej.

Mesfushori brazilian, i transferuar nga Shahtjor Donjecku në vitin 2015, e pati nisur mirë aventurën e tij si bavarez, por dështoi shpejt, fillimisht prej dëmtimeve dhe më pas prej sjelljes arrogante në medie, por edhe në fushë.

“Kosta nuk funksionoi në Mynih, sepse ishte shumë mercenar dhe nuk na pëlqente”, – është shprehur Hënes në një intervistë për “Frankpost”.

Faktikisht, në fazën e parë të sezonit 2015-2016 nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola, Kosta tregoi se është një lojtar i klasit botëror, por problemi i tij kanë qenë deklaratat e tij dhe të agjentit.

Ata bënë presion për rritje page dhe Bajerni, siç ka bërë gjithmonë, nuk e toleroi këtë veprim dhe e nxorri në shitje. Juventusi mund ta blejë për 40 milionë euro mesfushorin, por për momentin e ka huazuar me të drejtë transferimi përfundimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *