Hënes: Nuk paguajmë sa do Aleksis Sançez!

0

Presidenti i Bajernit zbërthen merkaton. “Për Tolison kam marrë fjalë të mira. Renaton do ta provojmë edhe një vit. Rudi? Mos u merrni me shifra!”

Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, kurrë nuk ngurron të flasë për merkaton, edhe kur ajo është ndoshta në ditët më kulminante. Numri 1 i klubit bavarez, në një intervistë të gjerë, ka shprehur mendimet e tij mbi blerjet e reja, ndonjë afrim që mund të kryhet dhe lojtarët e rinj të ekipit. Mes të tjerash, ai ka theksuar se Bajerni kurrë nuk do të paguajë 100 mln euro për një lojtar. Më saktë, kur ky i fundit nuk është ndonjë talent i porsazbuluar.

Sançez – I pyetur për blerjen e mundshme të sulmuesit Aleksis Sançez, Hënes është përgjigjur se problemi është paga. “Rumenige nuk ka ardhur akoma tek unë për të, prandaj duket se kjo nuk është çështje shumë e nxehtë. Nëse që në fillim po flitet për kërkesë page prej mbi 20 milionë eurosh, atëherë po flasim për shifra që ne nuk kemi ndërmend t’i paguajmë dhe ju e dini mirë këtë”.

Blerjet e kryera – “Korentin Toliso më bind. Kam marrë vetëm informacione pozitive për të. Personalisht preferoj që mos blihen vetëm emra të konfirmuar, që kushtojnë 60-70-80 milionë euro dhe mbase janë 27-28-29 vjeç, por edhe të provosh. Blerja e një 22-vjeçari me një reputacion të mirë është një zgjedhje e arsyeshme. Rudi? Mos më pyesni thjesht për faktin që ai u mor me parametra zero. Kjo nuk tregon asgjë. Jemi të bindur se kemi bërë një afrim të madh”, – ka thënë Hënes.

Kosta – I pyetur për shitjen e Doglas Kostës, siç kanë paralajmëruar mediet, presidenti ka bërë një hap pas. “Për sa kohë ai nuk ka firmosur diku tjetër, padiskutim që do të kthehet në stërvitje dhe do të bëhet gati për sezonin e ri. Nëse një ekip vjen dhe ofron shumën që Rumenige do, atëherë po. Kemi paguar shumë para dhe ka ardhur koha të fitojmë më shumë”.

Të rinjtë – Në fund, Hënes ka folur edhe për të rinjtë. “Renato Sançes qëndron. Unë jam i mendimit që të provojmë edhe një vit me të. Nuk besoj se ndodh gjë e madhe nëse tentojmë edhe një sezon me të. Vitin e shkuar kishte Europianin pas shpinës, kishte probleme fizike. Kimish? Ai është shembulli i përkryer i durimit për të rinjtë. Jam shumë i lumtur që Ançeloti tha se e planifikon si mbrojtës të djathtë. Me këtë besim ai vajti dhe në Kupën e Konfederatave dhe rezultatin e pamë të gjithë. Koman? Pa merak, nuk do e lëmë vetëm në këtë situatë. Ai do të guxojë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here