Hënes: Nuk na tremb Lajpcigu i kalamajve

0

Uli Hënes është gjithnjë një personazh shumë interesant për mediat në Gjermani, sepse kur flet, lëshon batuta të forta e krijon jo pak debate.

Para pak ditësh u tha se presidenti i Bajernit ishte tepër i pakënaqur me trajnerin Ançeloti dhe metodat e tij të përgatitjes fizike, duke e quajtur Bajernin “skuadra më pak e përgatitur fizikisht në historinë e klubit”.

Sot bosi bavarez e ka postuar vëmendjen te RB Lajpcigu, kërcënimi nga Lindja, që me milionat e Red Bullit po ndërton një perandori dhe që në sezonin debutues po e mbyll në vendin e dytë në Bundesligë.

Të shtunën përballen pikërisht Lajpcigu e Bajerni dhe Hënes i hedh “piper” sfidës, duke mos e vlerësuar si një rival direkt Lajpcigun, mbi të gjitha për faktin se investon miliona vetëm tek të rinjtë, politikë që në fakt deri tani i ka dhënë sukses të madh.

“Nuk e imagjinoj dot të luash 3 ndeshje në javë duke pasur në skuadër vetëm kalamaj – deklaroi Hënes për televizionin gjerman Sport1 – Jam i sigurt se Lajcigu nuk do ta ruajë dot këtë ritëm, nëse luan me të rinj edhe në Champions League.”

65-vjeçari i këshillon miliarderit Ditrih Mateshic, pronar i Lajpcigut dhe bashkëpronar i Red Bullit, që të ndryshojë strategji, sepse përndryshe nuk do të ngjitet kurrë në nivelin e Bajernit.

“I thashë: ‘i dashur zoti Mateshic, kur të blesh lojtarë më të moshuar do të bëhesh një kundërshtar real për ne’,” tha Hënes.

Megjithatë, drejtori sportiv i Lajpcigut Ralf Rangnik, arkitekti dhe mendja e merkatos së Lajpcigut, i përgjigjet bosit të Bajernit: “Ne nuk do të blejmë lojtarë të njohur e të shtrenjtë, do të vazhdojmë në rrugën tonë, duke blerë talente, lojtarë të rinj e me të ardhme. Do të vazhdojmë të zhvillohemi, ashtu si kemi bërë deri tani, ndërsa këshillat e Bajernit nuk na bëjnë të ndërrojmë drejtim”.

Verën e shkuar Lajpcigu ka shpenzuar jo pak për të blerë 5 lojtarë nën moshën 21 vjeç dhe Timo Verner e Nabi Keita kanë qenë një sukses i jashtëzakonshëm, por deri tani ka rezultuar zhgënjyes anësori skocez Oliver Bërk.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here