Hegjemonia Mesi-Ronaldo duhet të thyhet nga Modriç

Luka Modriç është në kulmin e vet, ndoshta e ka kaluar atë. 33 vjeç këtë shtator, mesfushori i Kroacisë po luan sezonin e jetës. Kampion Europe, sërish, me Realin, duke u bërë një legjendë e gjallë në futboll, edhe pse ndoshta te Reali mediat janë marrë gjithmonë vetëm me Kristiano Ronaldon.

Tani, pas triumfit të radhës në Kupën e Botës, Spanja dhe e gjithë bota kujtohet të kthejë sytë Nga Modriç.

Është kapiteni dhe lideri i madh i Kroacisë, bën Realin të vrapojë si një orë zvicerane, ka një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe qetësia e tij është vendimtare si te Reali, ashtu edhe të kombëtarja.

Jo rastësisht, tani që iku Ronaldo në Madrid ka nisur fushata mediatike për t’i dhënë Topin e Artë Modriçit. Me atë që ka treguar këto vite dhe këtë Botëror, e meriton plotësisht. Finalja do të vendosë shumë, sepse nëse fiton Franca, do të nisë debati nëse e meriton më shumë Modriç sesa Grizman apo Mbape, por realisht asnjëri prej dy francezëve nuk është jetik për Gjelat.

Para pak kohësh France Football i kërkoi falje publike Andres Iniestës që nuk i dha Topin e Artë në vitin 2010. Tani, pas një dekade ku jemi ngopur nga Mesi e Ronaldo, vështirë se vjen shans më i mirë për të rregulluar një gabim historia. Nuk e fiton Iniesta, por nëse e merr Modriç, është një ngushëllim dhe një vlerësim për gjithë ata lojtarë që kanë pasur fatin e keq të mos quhen Mesi e Ronaldo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *