Hedh poshtë justifikimin e vetëm, zyrtari i Torinos jep fakte: Gjykime me dy standarte

De Ligt tërhoqi tepër vëmendje në ndeshjen e sotme në derbin kundër Torinos, ku më tepër se sa për golin e parë të shënuar si lojtar bardhezi, u përfol për atë top të prekur me dorë brenda zone, që nëse do të akordohej penallti mund të ndryshonte krejt rrjedhën e lojës.

Mbi këtë moment të ndeshjes ka folur edhe drejtori i përgjithshëm i Torinos, Antonio Comi, që në një prononcim për “Dazn”, flet për një arbitrim me dy standarte në Serie A, duke e krahasuar këtë rast edhe me atë top të prekur me dorë nga holandezi në ndeshjen kundër Leçes, në të cilën gjyqtari dha një 11 metërsh.

“E vetmja gjë që nuk kuptoj është pse një penallti në Leçe, shumë e ngjashme me këtë të sotmen nga De Ligt, u akordua nga gjyqtari. Në atë rast me një top që po vinte nga larg, lojtari gjithashtu u përpoq ta tërhiqte krahun e tij, ndërsa sot nuk e bëri. Më vjen shumë keq, sepse do të më pëlqente të komentoja vetëm mbi performancën tonë të madhe”, është shprehur Antonio Comi./Sport Ekspres/

 

https://twitter.com/juvefcgifs/status/1190740451994808320