Hebaj: E ardhmja? Po pres Partizanin, kombëtarja ëndrra e çdo shqiptari

0

Rubin Hebaj ka dhënë një intervistë për emisionin ”Pop Culture” në “Top Channel”, ku ka folur në lidhje me tema të ndryshme që rrethojnë jetën e një futbollisti shqiptar. Idhulli, e ardhmja dhe ëndrra e kombëtares shqiptare janë disa ndër gjërat që shkodrani diskutoi në këtë intervistë.

TITULLI KAMPION – “Vuajtjet dhe sakrificat e gjithë vitit na u shpërblyen me fitoren e kampionatit në fund. Ishte një fund i lumtur, u gëzuam të gjithë”.

STËRVITJA  – “Në stërvitemi pothuajse çdo ditë. Një seancë zgjat diku te një orë o gjysmë ose dy orë. Pjesa tjetër është kohë e lirë. Po të kemi dëshirë mund të bëjmë stërvitje ekstra. Ndonjëherë trajneri vendos të na japë një ditë pushim pas një ndeshje”.

RËNDËSIA E REGJIMIT –“Nëse nuk mban regjim kjo gjë do të pasqyrohet menjëherë në paraqitjet në ndeshje ose stërvitje. Gjithçka është në dëmin tënd”.

HAPAT E PARË – “Futbollin e kam filluar shumë i vogël, diku te 8 vjeç. Babai më thoshte se do i hyja futbollit, pasi ai i kishte luajtur vetë, dhe ky sport do më bënte mirë për shëndetin. Më pas e kuptova se mund të shkoja më larg. Daja më bëri tifoz më Brazilin. Në përgjithësi më pëlqenin të gjithë brazilianët, veçanërisht Ronaldinjo. Më pas u dashurova me Ronaldon, jo me Mesin”.

A KA ZËNKA NË SKUADËR – “Të them drejtën këtë vit kemi pasur shumë harmoni në ekip. Normalisht nuk është e thënë të rrish me 25 çuna. Mund të kesh një grup djemsh që je më i afërt. Këtë vit ka pasur shumë harmoni, prandaj besoj arritëm te ky sukses. Futbolli i njeh acarimet. Janë gjëra që ndodhin në nerva e sipër, por shuhen aty menjëherë”.

E ARDHMJA – “Nuk e di të them të drejtën. Këtu te Partizani jam në huazim. Kam dhe një vit kontratë me Domzhalen në Slloveni. Tani do shoh sa të fillojë merkato. Partizani ka të drejtë të aplikojë të drejtën e blerjes së kartonit. Në rast se jo, atëherë do kthehem në Slloveni e do vazhdoj atje”.

KOMBËTARJA – “Është një ëndërr që e ka çdo shqiptar besoj, sidomos ne që jemi marrë përherë me futboll. Nuk ka arritje më të madhe se sa të luash në kombëtare”.

MIQËSIA ME LOJTARË TË KOMBËTARES – “Po Balajn e kam kushëri, ndërsa Roshin e njoh prej Bekimit. Jam shumë i afërt me ata, komunikoj shpesh. Kur kam qenë pjesë e moshave të Rijekës, ata ishin në ekip të parë dhe më kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe. Kalonim çdo ditë bashkë. Më kanë këshilluar si të jem më i qetë dhe si të stërvitem më shumë”.

SKUADRA E ZEMRËS –  “Unë jam formuar si futbollist në Shkodër dhe normalisht kam qenë tifoz i Vllaznisë. Vitin e parë si profesionist e kam kaluar te Vllaznia. Është normale të jem tifoz me Vllazninë. Për Partizanin kam pasur gjithmonë simpati, pasi pavarësisht se ra në kategoritë më të ulëta, u ngrit prapë dhe doli kampion. Është krenari dhe nder për ne që e arritëm ta kthenim në majë të futbollit. Kështu bëjmë që moshat e reja te bëhen tifozë me Partizanin, pasi ka shumë me Tiranën”.

THUHET SE FUTBOLLISTËT JANË TIPA TË TURPSHËM? – “Varet, nuk janë të gjithë njësoj ka dhe tipa që s’i pushon goja. Unë ndoshta hyj më shumë te të turpshmit, por më mirë të them diku në mes”.

MESAZHI PËR TË RINJTË – “Do i thosha të rinjve që të besojnë në vetvete dhe me punë e përkushtim mund të arrijmë çdo gjë”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.