Hazard mposht Mançester Sitin, zhgënjen Liverpuli

0

Një dhuratë Çelsi e bën, dy jo. Pasi humbi fundjavën e shkuar në fushën e vet ndaj Kristal Palas, sot skuadra e drejtuar nga Antonio Konte ka bërë autokritikë në mënyrën më të bukur, duke mposhtur 2-1 Mançester Sitin.

Një triumf që e ka emrin Eden Hazard, sepse belgu shënoi 2 golat e fitores së madhe, që i mban “Blutë” 7 pikë larg Totenhemit. Gjithçka u vendos në 35 minuta lojë, me Hazard që shënoi dy gola dhe Agueron që barazoi përkohësisht. Më pas, një orë futboll i fortë, me Mançester Sitin që bëri gjithçka për të barazuar, por Çelsi u tregua perfekt, ashtu si ka qenë gjithë këtë sezon, me përjashtim të fundjavës së shkuar.

Ndërkaq, nuk lëshon terren Totenhemi, që fitoi 3-1 në Suonsi, por në mënyrën më të çmendur të mundshme, sepse deri në minutën e 88-të ishte duke humbur, para se Dele Alli, Son e Eriksen të përmbysnin gjithçka dhe të përforcojnë pozitat e Totenhemit në vendin e dytë.

Po gara për vendet 3 e 4? Bujshëm, feston vetëm Arsenali, që fitoi 3-0 ndaj Uest Hemit me 3 gola në 30 minutat e fundit të ndeshjes. Festa e “Topçinjve” u bë edhe më e madhe kur erdhi lajmi se Liverpuli barazoi në shtëpi.

“The Reds” u ndalën bujshëm te barazimi 2-2 nga Bornemuthi, që i është bërë makth këtë sezon. Pa shumë lojtarë të rëndësishëm, Liverpuli vuajti shumë dhe pësoi gol që në fillim, por Kutinjo e Origi prëmbysën gjithçka, para goditjes së rëndë në minutën e 87-të nga King.

Gara për një vend në Champions League bëhet më e çmendur se kurrë: Çelsi e Totenhemi janë arratisur, Liverpuli i treti, por me një ndeshje më shumë se Mançester Siti i vendit të katërt dhe dy ndeshje më shumë se Arsenali e Mançester Junajtid, që ndajnë vendet 5-6.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here