Haxhiu: Flamurtarin e shoh të dytin, dënimi tendencioz

Ish-lojtari i ekipit vlonjat, Saimir Haxhiu, u bën apel të gjithë faktorëve në qytet për të reaguar fuqishëm ndaj vendimit të Disiplinës

Elton Nika

Asgjë nuk është rastësi. Flamurtari jo vetëm që është forca e tretë e kampionatit, por ndoshta ka merituar më shumë pas 8 javëve të para të kampionatit. Fitorja me Partizanin tregoi qartë sërish se skuadra vlonjate ka ndryshuar thelbësisht dhe Europa duket plotësisht e arritshme. Skuadra e Duros po bind gjithmonë e më shumë dhe shifrat flasin vetë, madje Flamurtarit edhe i është rënë në qafë nga gjykimi. Ish-lojtari i Flamurtarit, Siamir Haxhiu, duke i bërë një analizë të plotë asaj çfarë ka ndodhur, thekson se Flamurtari ka një skuadër mjaft të mirë dhe të disiplinuar, duke i dhënë merita Duros për këtë fakt. Haxhiu shprehet se skuadra nuk ka presion, ndaj dhe po ecën mirë, ndërsa për çështjen e dënimit i bën apel edhe pushtetit vendor të reagojë.

– Haxhiu, si e keni parë kampionatin shqiptar në këto 8 javë të para?

– Mendoj se renditja është reale për atë çfarë skuadrat kanë dhënë në fushë. Të gjithë kanë marrë atë që kanë merituar, me përjashtim të Flamurtarit, që ka merituar ndoshta diçka më  shumë, sepse jo pak është penalizuar në disa ndeshje me penallti te padhëna dhe penallti kundër që nuk kanë qenë. Kjo është e vetmja gjë që mund të them, ndërsa pjesa tjetër mendoj se është reale.

– Flamurtari sot është forca e tretë e kampionatit. E prisnit?

– Një vend i merituar dhe mendoj se kjo skuadër i ka mundësitë për më shumë. Fitorja me Partizanin ishte plotësisht e merituar, pasi skuadra ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, të kujdesshme dhe ka goditur në mënyrën dhe kohën e duhur. Më pas e ruajti mjaft mirë rezultatin dhe në iu mohua edhe një penallti. E prisnim këtë Flamurtar.

– Çfarë ka ndryshuar nga sezoni i kaluar në skuadër?

– Mendoj se gjithçka ka nisur mjaft mirë që vjet. Skuadra nisi të ndërtohej që në muajin qershor dhe meritë për këtë ka trajneri Duro, i cili solli në skuadër lojtarë që i përshtateshin lojës dhe ideve të tij. Skuadra ishte gati e plotë në fazën përgatitore dhe nuk pati merkato në korrik apo gusht, që ndikon më pas tek ambientimi. Pastaj, faza përgatitore dhe mbështetja e presidentit ndikojnë. Nuk flitet më për anën financiare te Flamurtari. Skuadra ka bërë një fazë përgatitore si duhet, duke mos i munguar asgjë. Mbështetja e të gjithë drejtuesve nuk ka munguar kurrë. U krijuan të gjitha kushtet dhe nuk ishin problemet e vitit të kaluar. Lojtarët mendojnë vetëm fushën dhe asgjë tjetër. Nuk ka presion dhe kjo është shumë e rëndësishme.

– Flamurtari është penalizuar jo pak, siç e thatë edhe ju. Pse ndodh kjo?

– Këtë e kanë parë të gjithë. Penallti të padhëna apo penallti kundër Flamurtarit, që i kanë hequr disa pikë. Them se sot duhej të ishte në vend të dytë të renditjes. Nuk e di pse veprohet kështu.

– Pastaj edhe dënimi me 4 ndeshje pa tifozë nga Komisioni i Disiplinës…

– Mendimi im është se asnjë prej faktorëve në qytet nuk duhet të qëndrojë në heshtje për fakt. Dënim është i ekzagjeruar. Duke nisur nga kryetari i bashkisë dhe për të vazhduar me deputetët apo dhe vetë Kryeministrin, i cili është deputet i Vlorës, nuk duhet të qëndrojnë në heshtje dhe ta lënë të vetëm Idrizin. Nuk mund ta privosh një qytet 4 javë pa stadium. Një qytet që argëtimin sot e ka te futbolli, sporti apo arti dhe ky dënim e privon gjithkënd. Nëse është rast i përsëritur, atëherë mbyll vendin e ultrasve, por jo të ndëshkosh një qytet të tërë në këtë mënyrë. Kjo është tendencioze dhe pikërisht në momentin më të mirë të skuadrës.

– Sipas jush, cilat skuadra janë pretendente për titull?

– Mendoj se Skënderbeu ka diçka më shumë në këtë kampionat, për vetë ecurinë edhe në kupat e Europës. Por pranë është Kukësi dhe unë shoh Flamurtarin në vend të dytë. Skuadra i ka mundësitë dhe unë besoj se ky Flamurtar duhet të jetë më lart në renditje. Megjithatë, çdo gjë duhet të shihet hap pas hapi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *