Hasi refuzoi Shqipërinë para 6 vitesh!

0

Anton Cicani

Që Xhani de Biazi do të largohet në fund të eliminatoreve të Botërorit, sigurisht, përtej ndonjë mrekullie të quajtur “kualifikim në Rusi 2018”, kjo tashmë s’përbën më lajm. Vetë trajneri, në daljet e fundit për shtyp, e ka theksuar se do t’i pëlqente një tjetër aventurë, larg Shqipërisë. Angli, Spanjë, apo pankina e një kombëtareje. Sigurisht, po flasim për të ardhmen, pasi kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund të edicionit. Megjithatë, sot De Biazi nuk do të ishte në drejtimin e Shqipërisë nëse në 2011-ën, Besnik Hasi s’do të kishte refuzuar Shqipërinë. “Sport Ekspres” ka arritur të sigurojë një histori të patreguar, e cila sigurisht përbën shumë kuriozitet dhe sidomos habi për faktin se pse nuk rrodhën gjërat ashtu…

Stoli kuqezi ishte bosh pas largimit të Josip Kuzhes dhe nën kullën “Eifel”, aty ku tifozët kuqezi parakaluan dhe ku kombëtarja jonë shkroi faqen më të bukura, pjesëmarrjen në Europian, Armand Duka takoi ish-futbollistin e kombëtares. Një darkë dhe në mes çeku i bardhë: “Merr stolin e Shqipërisë dhe projektojmë të ardhmen”. Por, Hasi, i dyzuar, edhe pse me dëshirën për të marrë vendin e Josip Kuzhes, që e kishte lënë në shkatërrim kombëtaren, e cila po kalonte tranzicion dhe ndërrim brezi, vendosi për një “faleminderit president, po jo!”. Një refuzim i thatë, i ftohtë, teksa Duka do ta fiksonte mirë atë moment. Hasi do t’i shpjegonte se presidenti i Anderlehtit i kishte premtuar se do t’i jepte stolin e ekipit të parë, pasi në atë kohë ishte ende ndihmës trajner. Kështu ndodhi, teksa Duka, nisur edhe nga menaxheri Sokol Haxhia, zgjodhi Xhani de Biazin. Rrugët e Hasit dhe Shqipërisë, pra, sa të jetë presidenti i FSHF-së në fron, s’do të mund të kryqëzohen më, pasi ai refuzim është ende në kujtesë. Sot, Hasi ndodhet pa punë, pas shkarkimit nga Legia e Varshavës. Tani që De Biazi po i afrohet fundit të ciklit, sigurisht, duhet pritur edhe pak për të parë zëvendësin, që s’do të jetë Hasi, pasi “treni” i tij drejt stolit kuqezi kaloi njëherë…

Sa i përket De Biazit, sigurisht, Duka ende s’ka marrë asnjë vendim dhe ka marrëdhënie të mira puna, të kuptohemi, por një shkarkim i tij do të sillte një dëmshpërblim jo të vogël, por të paktën prej 150 mijë eurosh, të cilat Duka nuk ka ndër mend t’i japë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image