Hasi në gjurmët e Daliç: Një sfidë tërheqëse, në një kulturë të panjohur

Besnik Hasi bëhet “arab”. Me një lëvizje “rrufe”, trajneri i njohur shqiptar është kthyer në aktivitet pas thuajse një sezoni pushim si pasojë e largimit nga Olimpiakosi dhe tashmë firmos me Al Raed në Arabinë Saudite. Siç e thotë vetë Hasi, është një sfidë e re dhe e papritur, por e pranuar me dëshirë, për shumë arsye, përtej anës financiare. Nuk duhet harruar se edhe karriera e Zllatko Daliçit ka kaluar nga Arabia Saudite, ndaj për Hasin nuk është absolutisht një hap pas në karrierë. Në një intervistë për “SportEkspres”, ish-futbollisti legjendar i Shqipërisë flet për punën e tij të re, ambiciet dhe planet në Arabi…

– Hasi, urime për detyrën e re, në një kampionat të panjohur për Europën.

– Është një aventurë e re, mjaft stimuluese, që në pamje të parë duket e çuditshme për shumë njerëz. Në fakt, e mendova mirë, u konsultova edhe me njerëzit e duhur, përfshirë familjen, ndaj e kam pranuar me kënaqësi ofertën. Në Arabinë Saudite futbolli po zhvillohet jashtëzakonisht dhe unë do kisha qejf të merrja pjesë në këtë proces rritjeje dhe të bëhem pjesë e kulturës së këtij vendi, që më bën mjaft kurioz”.

– Dimë që bëhet fjalë për një kampionat të pasur, por vetëm kaq.

– I pasur, por edhe shumë cilësor. Arabia Saudite ka ndryshuar sistemin e garave, nga 14 ekipe është kaluar në kampionat me 16 ekipe, kanë investuar shumë në aspektin teknik, kanë lejuar shtimin e të huajve në ekipe, për të rritur cilësinë e futbollit në vend. Është një ndër ligat më të forta në Azi dhe përveç anës financiare, është edhe ana sportive që të tërheq. Stadiumet janë plot, jo si në vende të tjera, si në Emiratet e Bashkuara Arabe për shembull, ku stadiumet janë të boshatisura dhe mungon cilësia e futbollit.

– Çfarë ju kanë kërkuar drejtuesit e klubit, kanë synime madhore?

– Al Raedi nuk është klubi më i madh në Arabinë Saudite, kjo dihet. Vitin e shkuar patën probleme, dolën të parafundit dhe luajtën në play-off për mbijetesë, duke fituar në të dy ndeshjet. Është hera e parë që kam një eksperiencë të tillë, pasi në tre klubet e mëparshme ku kam drejtuar synohej vendi i parë. Për herë të parë punoj në një ekip që nuk niset favorit dhe është një sfidë për mua, për të ndërtuar një ekip të aftë të ngjitet në renditje. Presidenti është shumë ambicioz dhe kërkon të ndërtojë një klub stabël, që të mos ketë probleme mbijetese dhe herë pas here të synojë edhe vendet e kreut.

– E menduat që edhe Zllatko Daliç ka drejtuar në Arabi, para Kroacisë?

– E vërtetë, Daliç është një shembull i mirë, sepse ka punuar në Arabinë Saudite, bëri gjëra të mira dhe pastaj mori Kroacinë, duke shkuar në majën e botës. Kjo e bën një shembull për ne që shkojmë në këto vende, sepse nuk do të thotë që del nga tregu dhe humbet duke shkuar andej.

– Kampionati nis pas një muaji dhe merkatoja është e hapur, do e mendoni t afroni ndonjë lojtar shqiptar?

– Merkatoja e Al Raedit është bërë në masën 90%, sepse emërimi im ka ardhur pak vonë, duke qenë se ekipi e ka nisur fazën përgatitore. Ne do të mundohemi të bëjmë ndonjë ndërhyrje të vogël, pasi ta shoh ekipin. Do të shohim nëse na nevojiten lojtarë, nëse do të afroj pastaj ndonjë futbollist shqiptar do të ishte një kënaqësi, por në situata të tilla vendimin e fundit e merr gjithnjë presidenti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *