Haris Fakiç në 360 gradë: Zgjedhja e Shehit, ofertat, planet dhe dënimi nga UEFA

Haris Fakiç punon prej vitesh me Skënderbeun, ndërkohë që frytet e punës së tij dhe Shkumbin Qormemetit korçarët i kanë marrë dhe vijojnë t’i marrin. Drejtori sportiv i korçarëve është ndalur të flasë gjerë e gjatë në një intervistë për “Sport Ekspres”.

Gjithçka nis me një diskutim të këtij kampionati, me zgjedhjen e Shehit si trajner dhe ecurinë në këto javë. Sigurisht nuk mund të shmangen bisedat për merkaton, sikurse edhe një koment për ish-trajnerin Ilir Daja. Asnjë qejfmbetje, shtrëngim duarsh dhe secili në rrugën e tij.

Fakiç flet për planet që kanë dhe paralajmëron që do të ketë shitje të tjera. “Skënderbeu e ka krijuar emrin e tij, ndaj çdo klub që do lojtarë nga Ballkani i hedh sytë edhe nga”, thotë mes të tjerash drejtori i Skënderbeut. Në fund ka edhe diçka më të fortë: “Do rikthehemi në Europë, madje edhe më fortë”. Intervista me Fakiç, e gjitha për t’u lexuar.

INTERVISTOI: JURGEN ZELA

Vetëm katër ndeshje i mjaftuan Skënderbeut për të qenë në krye të klasifikimit, e kishit pritur një nisjet tillë?
-Mendoj që me meritë kemi arritur të jemi në vendin e parë, kjo për faktin se kemi prodhuar lojë dhe gola. Natyrshëm dhe rezultatet do të vinin. Skuadra po tregon karakter të fortë në radhë të parë dhe më pas të gjithë të tjerët.

Nga kapiten në trajner, çfarë ju shtyu që të zgjidhnit Shehin si timonier?
-Së pari është rezultat i harmonisë që kjo skuadër përjeton, si tani ashtu dhe në edicionet e shkuara. Nga fusha në stol mund të vijë një personalitet dhe karakter shumë i fortë siç është Shehi. Më pas është dhe besimi i presidentit Takaj për t’i lënë plotësisht detyrat kryesore një ish-lojtari stolin e ekipit më të fortë në vitet e fundit në Shqipëri, por dhe në rajon.

Tek ne nuk vijnë gjërat rastësisht, pasi rastësia nuk ekziston. Shehi është për mendimin tim personi i duhur në vendin e duhur. Personalisht mendoj se ky gjest i presidentit Takaj do të na sjellë shumë rezultat, si në të ardhura, ashtu dhe në të ardhme. Bëhet fjalë për një trajner që e bën punën e tij më së miri, si në fushë ashtu dhe jashtë saj. Është një trajner që ka një vizion modern, por ndoshta dhe trajneri që e kemi pritur gjatë gjithë kësaj kohe, pasi përshtatet me filozofinë e presidentit dhe të gjithëve ne që punojmë në klubin e Skënderbeut.

Largimi i Dajës nuk u la një shije të mirë. A mos ishte një farë revanshi fitorja në Vlorë?
-Mendoj që nuk e përjetojmë si një revansh, pasi nuk kemi asnjë arsye për diçka të tillë. Ish-trajneri Daja nuk na ka bërë ne diçka të keqe, apo anasjelltas. Përkundrazi, thjesht misioni i tij mbaroi dhe tani ecim para, secili në rrugën e tij. Ne shkuam për fitore, siç kemi bërë gjithnjë. E arritëm me meritë dhe me lojë në fushë. Këtu mbaron gjithçka.

Kemi parë një Skënderbe me fytyrë të re. Mund të na veçoni ndonjë element që ju ka bindur deri tani?
-Për mua ekip është i kompletuar si asnjëherë më parë. Meritën e madhe e ka trajneri Shehi, i cili besoi që në fillim kur ekipi po ndërtohej, edhe pse shumë nga këto lojtarë që ne i kemi kanë qenë edhe vitin e shkuar apo dhe më herët. Këtë edicion vendosëm që të besonim te lojtarët e rinj. Mosha mesatare është diku tek 23 vjeç, apo diçka më shumë. Nuk mund të jap një emër specifik, pasi janë disa lojtarë që janë surprizë në këtë kampionat. Në fund të vitit besoj se do të konkretizohen dhe me disa tratativa të fuqishme.

Skënderbeu na ka mësuar me lëvizje të bujshme, a kemi ndonjë emër konkret për të cilin Fakiç po punon?
-Skënderbeu është ekip që shet lojtarë dhe diçka të tillë e ka si politikë. Skënderbeu e bëri hapin që deshi, e bëri emrin. Skuadrat që janë të fokusuara për të blerë lojtarë me cilësi në Ballkan nuk e anashkalojnë Skënderbeun, pasi e dinë mirë se si punojmë dhe çfarë prodhojmë. Në këtë moment ne kemi 3 apo 4 lojtarë të cilët luajnë me Kombëtaret A të shteteve të tyre. Më pas kemi dhe disa lojtarë që janë pjesë të skuadrave të moshave të Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu, kjo skuadër është me plot lojtarë të cilët luajnë me skuadrat përfaqësuese. Me siguri do të kemi më shumë emra që do të lëvizin, qoftë në merkaton e janarit apo dhe në fund të këtij edicioni. Interes ka pasur për Alitin më herët, ashtu dhe për Bregun, por dhe për disa të tjerë. Gjithsesi koha do të tregojë më së miri se çfarë prodhon ky Skënderbe. Këtë vit do të shohim se sa shitje do të bëjmë. Transferime do të kryejmë dhe kjo është e sigurt.

Kush ju duket lojtari me më shumë të ardhme, i cili mund të ketë një karrierë të madhe?
-Janë disa, për të cilët mendoj se kanë mundësi të bëjnë hapa të mëdhenj nga klubi ynë në një skuadër më të madhe. Disa kanë shumë kualitet, sa mendoj se do të të kenë mundësinë të luajnë dhe në 5 ligat më të forta në Botë.

Cilin lojtar, nga ata që kanë ikur, do donit ta kishit në ekip akoma?
-Të gjithë që janë shitur janë futbollistë shumë të mirë, prandaj dhe janë transferuar për shumë të konsiderueshme. Unë nuk do të thosha asnjërin, pasi dua të nxjerrim sërish një lojtar si Bernard Berisha apo Liridon Latifi, Olainka etj. Më pëlqeu shumë Ali Soue vjet, por ai ishte në formë huazimi. Tani jemi në rrugën e duhur për ta krijuar vetë një profil si ai. Është model sulmues.

Sa i përket largimit të Bakari Nimagës, çfarë mund të na thoni?
-Sa i përket Nimagës, ne e lëshuam, nuk ka ikur asnjë lojtarë nga ne, pasi ekziston kontrata dhe obligimi. Kaluan shumë vite që kur ka ardhur dhe vendosëm mos të jemi pengesë që ai të vazhdojë karrierën e tij. Në ndryshim nga të tjerët, ai vendosi vetë rrugën që donte të ndiqte.

Rikthehemi te Superiorja pak, kë shikoni si kundërshtarin më të fortë këtë edicion?
-Nuk kam mundur që t’i ndjek të gjitha skuadrat pretendente në letër për këtë vit, por mendoj se Kukësi do të jetë një nga skuadrat që do luftojë për kreun, pasi ka një organikë të pasur. Por sigurisht që do të ketë dhe skuadra të tjera.

Do donit të kishit ndonjë nga lojtarët që është në Superiore tek Skënderbeu?
-Sigurisht që janë disa që më pëlqejnë, madje disa kanë qenë në objektivat tonë, por disa nuk kanë ardhur. Tani do të shohim sërish për ndonjë element të ri.

Sa i përket dënimit, sa besim keni se do dilni të fituar dhe a keni një mesazh për skuadrat e tjera të Superiores?
-Kemi shumë besim, pasi e dimë se jemi të pastër dhe raporti kundër nesh nuk ka lidhje me faktet, as me diçka të argumentuar. Besojmë se shpejt do e shikojmë Skënderbeun sërish në Europë, madje akoma më të fortë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *