Harden “show”! Bien Warriors dhe Lakers, Durant-Curry të pafuqishëm

Golden State Warriors janë thyer në shtesë nga Portland Trail Blazers, në një ndeshje që përfundoi me rezultatin 109-110. Nuk mjaftuan 29 pikët e Stephen Curry, as paraqitje e Kevin Durant. Ky i fundit regjistroi madje “triple-double”: 26 pikë, 11 asiste dhe 10 topa të rikuperuar. Kampionët në fuqi u dorëzuan përballë treshes Nurkiç-McCollum-Lillard (realizuan përkatësisht 27, 24 dhe 21 pikë).

Me LeBron James që mungonte i dëmtuar, Los Angeles Lakers janë mundur me një pikë diferencë nga Sacramento Kings. 117-116 përfundoi kjo përballje, ndërkohë që Kyle Kuzma për Lakers arriti të realizojë plot 33 pikë. Milwaukee Bucks ka bërë detyrën kundër New York Knicks, duke fituar 112-96. Giannis Antetokounmpo me 31 pikë, 8 asiste e 14 topa ë rikuperuar ishte lideri. Paraqitje e mirë edhe për Khris Middleton, i cili realizoi 25 pikë.

James Harden vijon të japë shfaqje me Houston Rockets, që mundi Boston Celtics 127-113. Harden këtë herë realizoi 45 pikë. Në lartësinë e duhur ishte edhe Clint Capela: 24 pikë dhe 18 topa të rikuperuar. Joel Embiid (23 pikë, 6 asiste, 15 topa të rikuperuar), JJ Redick (24 pikë) dhe Ben Simmons me “triple-double” (13 pikë, 12 asiste, 14 topa të rikuperuar) udhëhoqën Philadelphia 76ers në fitoren e radhës kundër Utah Jazz, me rezultatin 97-114.

Houston Rockets-Boston Celtics 127-113
Milwaukee Bucks-New York Knicks 112-96
Sacramento Kings-Los Angeles Lakers 117-116
Golden State Warriors-Portland Trail Blazers 109-110
Utah Jazz-Philadelphia 76ers 97-114

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *