Harakiri skocez, gafat e pafalshme që i dhuruan Izraelit fitoren

Skocia ishte e njëjta skuadër që fitoi duke e dominuar Shqipërinë. Në Haifa të Izraelit, duhet thënë se nuk luajtën keq, por humbja erdhi prej disa episodeve, që më tepër shërbyen si dhuratë për kundërshtarët.

Duke nisur nga fakti që pjesën e parë të takimit e mbyllën në avantazh 1-0, me 11-metërshin e shndërruar në gol nga Çarli Mulgrev. Lojtari i skocisë realizoi golin e parë me përfaqësuesen prej majit të vitit 2014, kur luante miqësoren ndaj Nigerisë. Plotë 1597 ditë pritje për të festuar. Një gol që gjithsesi nuk i shërbeu skuadrës së MekLish.

Në pjesën e dytë të takimit, ndodhi e pabesueshmja. Minuta e 52-të e lojës solli barazimin e vendasve me Peretz. Për mesfushorin me tipare difensive, ky ishte absolutisht goli i parë në karrierë. Në minutën e 61-të të lojës, skocezët mbetën në inferioritet numerik pas kartonit të dytë të verdhë të Sutar.

Prej atij momenti gjithçka u bë edhe më e vështirë, ndërsa rrjeta e fitores së Izraelit erdhi si një dhuratë. Në minutën e 74-rt, Tiernei, i cili nuk u aktivizua në pozicionin e tij natyral, devijoi në mënyrë fatkeqe harkimin e Eli Dasas, duke i dhënë vendasve golin me vlerë tre pikë. Të gjitha këto episode ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejt në disfatën e Skocisë, ndërsa izraelitët futen vrullshëm në garën për kreun e grupit 1 të Ligës C në Nations League, të favorizuar nga fakti se në fundjavë do të presin në shtëpi edhe Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *