Hapoel Ber Sheva, kundërshtari i Laçit që befasoi Europën

0

VERONIK ISTREFAJ

Hapoel Ber Sheva do të jetë skuadra kundërshtare e Laçit për ndeshjen kualifikuese të Europa League. Fillimisht, ekipi izraelit do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’u ndeshur me kurbinasit, më pas do të vendoset kualfikimi në Izrael.

Po kush është rivali i Laçit? Ber Sheva është krijuar në vitin 1949, një klub 70-vjeçar. Që nga viti 2007, ekipi izraelit drejtohet nga një femër e suksesshme biznesi, Alona Avka, 49-vjeçe. Gjatë historisë së tyre 70-vjeçare si klub, Hapoel Ber Sheva e ka fituar 5 herë kampionatin izraelit, një “Israel State Cup”, katër “Toto Cup”, katër SuperKupa të Izraelit dhe një “Lilian Cup”.

Që nga sezoni 2015-16, Ber Sheva i luan takimet në stadiumin “Vasermil Stadium”. Trajneri i skuadrës është i riu Barak Bakhar, 39-vjeç. Ky i fundit e drejton skuadrën izraelit që nga viti 2015. Ber Sheva humbi sezonin e shkuar shërbimet e nigerianit Antoni, i cili në 95 ndeshje me klubin, kishte shënuar 35 gola. Po ashtu, sulmuesi është ende lojtari më me shumë gola në Europë për ekipin izraelit, me 7 gola. Tashmë, Antoni është pjesë e Trabzonsporit.

Hapoel Ber Sheva është një ekip që ka luajtur rregullisht në Europë, madje në sezonin 2015-16, turpëroi skuadrën e Interit, në të dyja ndeshjet e grupeve të Europa League. Një fitore 0-2 në San Siro dhe një triumf 3-2 në Izrael, bënë që të gjitha mediat europiane të flasin për Ber Shevën, duke e konsideruar si surprizën e bukur të atij sezoni.

Aktualisht, vlera në treg e lojtarëve të Hapoel Ber Shevës, sipas Transfermarkt, është 17 milionë euro. Qendërmbrojtësi Migel Viktor, i cili dhe shënoi përballë Interit në San Siro 4 sezone më parë, është lojtari më i vlerësuar, 2 milionë euro. Ndërsa mesfushori Xhon Ogu dhe sulmuesi Haselbaink, vlerësohen me nga 1.5 milionë euro, duke plotësuar podiumin me lojtarët më të shtrenjtë në skuadër.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.