Hamilton e mbyll me fitore, Alonso jep lamtumirën

Pa rivalë. Luis Hamilton e mbyll Botërorin 2018 në Formula 1 me një tjetër fitore. Kampioni i botës me Mercedes fitoi edhe në garën e fundit sezonale në Abu Dhabi. Në këtë mënyrë, britaniku e mbyll edicionin në mënyrë perfekte, ndërsa pas tij u klasifikua Fetel në vendin e dytë dhe Vershtapen që kompletoi podiumin.

Ndërkohë që Fetel festonte, te Ferrari kishte zhgënjim për Kimi Raikonen, që u tërhoq nga gara dhe u klasifikua i fundit në renditje. Gjithsesi, një mbyllje mes duartrokitjeve të skuadrës dhe publikut për finlandezin, që prej ditëve në vazhdim do të paraqitet në timonin e Alfa Sauber për testimet, ndërsa do të përfaqësojë këtë skuderi në dy sezonet në vazhdim.

Ferrari e mbylli sezonin me 571 pikë në total, rezultati i tetë më i mirë në histori. Ajo në Yas Marina ishte edhe gara e fundit e Fernando Alonsos në Formula 1. Lamtumira e pilotit spanjoll, shënjon fundin e një epoke në këtë sport. Alonso e mbylli aventurën në F1, duke u klasifikuar në vendin e 11-të.

Në xhiron e nderit, ai u ftua nga Hemilton që ta ndiqte, për të bërë përshëndetjen tradicionale të mbylljes së kampionatit, me djegien e gomave. Alonso largohet me 2 tituj kampion të fituar: në total spanjolli ka garuar në 312 Çmime të Mëdha, ka regjistruar 32 fitore, 22 “pole position”, 97 podiume dhe 23 xhiro të shpejta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *