“Hames është në listë, kemi piketuar dhe 5 mbrojtës”

Napoli po punon për t’i vënë Ançelotit lojtarë sa më cilësorë në dispozicion. Hames Rodriges është emri më i madh që mund të vijë në “San Paolo” këtë verë. Kolumbiani pas dy viteve huazim te Bajerni është kthyer në Madrid. Kryeqyteti spanjoll nuk pritet të jetë destinacioni i tij i fundit këtë verë, pasi Zidan nuk e ka në planet e tij dhe dëshiron ta shesë për të gjeneruar të ardhura.
Presidenti napolitan, Aurelio De Laurentis ka folur rreth merkatos së klubit të kaltër. Ai pranon se Hames është një nga objektivat, por shton se po studiohen edhe lojtarë të tjerë. Mbrojtja është një nga repartet ku po punohet më shumë. Sipas medieve italiane, në repartin difensiv Manolas i Romës është emri kryesues në listë. Në fund flet edhe për largimin e Albiol, ku shpjegon se ishte dëshira e spanjollit për t’u larguar.

“Kemi disa opsione në tavolinë dhe njëri prej tyre është edhe Hames. Do bëjmë atë çfarë është më e mirë për Napolin. Kemi gjetur të paktën pesë qendërmbrojtës, por nuk mund të na pëlqejnë të gjithë. Do të mundohemi të bëjmë zgjedhjen më të mirë, tifozët na e kanë besuar këtë.”

“Ne e pranuam kërkesën e Albiol sepse ajo ishte dëshira e tij dhe nuk e refuzonim dot. Deshi të largohej edhe dy vite më parë, por arritëm ta mbanim. Kemi Kirikles dhe Maksimoviç, që janë kandidatë për të qëndruar krah Kulibali. Po tentojmë të bëjmë hapa të tjerë para, por të shohim se ç’do ndodhë”, përfundoi De Laurentis.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *