Hamdi Salihi ka nisur një jetë të re: Po jetoj në SHBA, Vllazninë nuk e mendoja kështu

Hamdi Salihi ka nisur një jetë të re dhe po shijon atë që shqiptarët gjithmonë e njohin si “ëndrra amerikane”. Së bashku me familjen e tij, do të vijë edhe shpërngulja përfundimtare në Kaliforni, atje ku do të jetojnë me familjen e tyre.

Në një intervistë për “Supersport”, Salihi është shprehur nga SHBA-ja se vazhdon të mendojë gjithmonë për Kombëtaren, pa harruar të prekë edhe kampionatin në Superiore.

“Për një të ardhme të afërt do të jetoj në SHBA në Kaliforni. Po më pëlqen shumë klima këtu. Pjesa tjetër e familjes ndihet mirë gjithashtu dhe deri tani duket si zgjedhja e duhur. Po mendoj për 24 orë rreth futbollit. Po mendohem për opsionet që mund t’i gjejmë për Kombëtaren. Sa i përket kampionatit shqiptar, nuk e mendoja Vllazninë kështu, që të ishte kaq konkurruese. Prandaj duhet të përgëzoj stafin.

Te Tirana duhet t’i jepet më shumë kohë trajnerëve. Ata nuk po luajnë keq, por drejtuesit dhe lojtarët gabojnë se duan të shkëputen që në javën e pestë në krye të klasifikimit. Me durim nga java në javë do të shprehen aty ku duhet, duke parë grupin që kanë”, ka thënë Salihi. /Sport Ekspres/