Halli i (pa)zakontë i stadiumeve, Kukësi kërkon… shtëpi të re

Kur nuk e ke një shtëpi tënden duhet të jesh i përgatitur për çdo të papritur. Kukësi nuk luaj në “Zeqir Ymeri” pasi është premtuar se stadiumi do të rikonstruktohet, për faktin se ky impiant nuk i përmbush kriteret për të pritur një ndeshje të Kategorisë Superiore. Gjithsesi, duhet përmendur se gjithçka ka mbetur në kuadrin e fjalëve dhe ende nuk është parë në stadiumin e Kukësit ndonjë makineri që “sinjalizon” nisjen e punimeve.

Verilindorët do të “presin” Teutën këtë javë, por çudia është se kur jemi dy ditë para ndeshjes nuk dihet se ku do të luhet kjo sfidë. Edhe pse fillimisht u konfirmuar se ndeshja do të luhet në Kamzë, drejtuesit e skuadrës nga periferia e kryeqytetit e refuzuan këtë mundësi, duke i kërkuar kuksianëve që të gjejnë një strehë tjetër.

Tani, nënkampionët janë në mes të rrugës, pasi preferenca e parë ishte stadiumi i Kamzës, ku do të kishin dhe tifozët. Në Elbasan do të luajë kombëtarja dhe stadiumi nuk mund të preket, ndërsa një opsion mund të jetë sforcimi për të shkuar në Shkodër. Ku i dihet edhe në Shijak mund të luhet kjo ndeshje, siç ndodhi me Tiranën një javë më parë.

Kujtojmë që Laçi po ashtu e kishte një problem të tillë dhe ndeshja për pak sa nuk u shty, megjithatë në fund u vendos që të luhej në “Selman Stërmasi”, edhe pse një ditë më parë ishte luajtur një ndeshje tjetër. Të presim e të shohim se çdo të ndodhë dhe se ku do të gjejë një vend për të luajtur ndeshjen e radhës, megjithatë ky është një problem që mund të shfaqet shumë herë gjatë vitit, pasi ndryshe nga skuadrat e tjera, Kukësi është i vetmi ekip që nuk e ka një stadium fiks.

Këtë edicion verilindorët kanë zhvilluar ndeshje si pritëse në stadiumin e Kamzës, në “Loro Boriçi”, në “Elbasan Arena” dhe në Pezë-Helmëz. Nuk do të ishte aspak çudi që kuksianët ta zgjeronin hartën e stadiumeve, ku do luajnë si pritës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *