Hallaçi rrëfehet: E ardhmja, pengjet e karrierës dhe një pakt me presidentin

0

Kapiteni është i fundit që e braktis anijen e tij. Lideri i skuadrës kuksiane, Rraman Hallaçi, nuk e braktisi asnjëherë anijen e tij dhe besoi deri në fund që do e arrinte lavdinë me ekipin e qytetit të tij të lindje, përpara tifozëve të tij. Pas pesë vitesh përpjekjesh, 33-vjeçari fjalëpak e punëshumë, kurrë polemizues dhe provokues, kompletoi listën e trofeve të fituar me Kukësin e tij. Ata që e njohin nuk ngurrojnë të përdorin për të shprehjen klasike: “Nuk e ka shokun”. I sjellshëm dhe profesionist, Kukësi ka një kapiten që mund të themi se do e kishte zili çdo ekip. Nga mjeshtëria sportive tek titulli kampion, për “Sport Ekspres” kapiteni i Kukësit tregon gjithçka. Pasi ka përfunduar kursin e trajnerit, kapiteni njofton se do të luajë sezonin e tij të fundit me Kukësin, por e ndjen se nuk do të varë këpucët në mur pa e fituar dhe një trofe me skuadrën e qytetit të tij të lindjes. Do të lërë futbollin e luajtur, por jo dashurinë me Kukësin, pasi e ardhmja e tij e ka një derë të hapur, të cilën ai vetë e zbulon. Gjithçka në 360 gradë, në ditën e titullit, si një kapiten i vërtetë.

Pas pesë vitesh, titulli i parë kampion, me qytetin tuaj te lindjes. Si kanë qenë këto pesë vite në Kukës?

Kur erdha vitin e parë nuk e mendoja një ecuri të tillë. Kemi kaluar 5 vite të mrekullueshme, dua të theksoj vitin e parë, ku arritëm të shpalleshim nënkampionë dhe kaluam tre ture në Europa League, ishte një gjë e jashtëzakonshme. Më pas vjen dhe fitimi i Kupës, një gëzim i veçantë, pasi ishte hera e parë për Kukësin që fitonte një trofe me shumë vlera, pas saj erdhi dhe Superkupa. Tani ajo që u bë realitet fitimi i titullit kampion, një ëndërr për tifozët kuksianë, por nuk ka mbaruar akoma cikli, për këtë jam shumë i bindur.

Sezon i çmendur, kampion pa humbje, si është e mundur?

Në fakt objektiv kishim vetëm kampionatin, por më pas gjatë rrugës i vumë vetes një tjetër objektiv, që ta mbanim sa më gjatë pa humbje dhe e arritëm këtë, jo rastësisht, por me një ekip me një zemër të madhe. Ajo që veçoj është që kjo skuadër nuk dorëzohet kurrë.

Kur keni ardhur në Kukës, çfarë objektivi i kishit vendosur vetes dhe realisht, sa larg mendoje se do të shkonte Kukësi?

Kur erdha këtu, mendoja që duhet të kontribuoja për qytetin e lindjes, por nuk e mendoja se mund të dilnim nënkampionë e më pas kampionë. Në fakt mendoja se në fillim duhet të qëndronim në Superligë, por ishte një surprizë shumë e këndshme.

Cili ka qenë momenti më i vështirë këtë sezon?

Momenti më i vështirë ka qenë barazimi me Korabin në Kukës.

Po momenti më i bukur i sezonit, aty ku mendove se u arrit një fitore vendimtare, pa llogaritur ndeshjen e fundit?

Momenti më i bukur ka qenë barazimi me Partizanin, në ndeshjen e fundit. Nëse humbnim mendoj që mbaronte çdo gjë, por treguam me karakter.

Sa e vështirë ka qenë të udhëheqësh një skuadër nga fusha, si kapiten? Vetëm 4 kartonë të verdhë këtë sezon, jeni vlerësuar për lojën fair-play, është thjesht çështje eksperience?

Të jesh kapiten nuk është e lehtë, por të lehtë ma kanë bërë çunat, pasi sjellja e tyre ka qenë shumë korrekte, ndaj i falënderoj. Po, mora çmimin “fair play” dhe mendon se kam qenë shumë i disiplinuar në fushë dhe jashtë saj, nuk kam ofenduar kurrë as lojtarë, as arbitër. Disiplina dhe profesionalizmi ishte ajo që bëri të më zgjidhnin mua.

Keni dalë nga Partizani, tani tek Kukësi, gëzoni respekt maksimal nga tifozët e Partizanit, po ashtu dhe ata të Kukësit. Si e përjetove këtë garë të egër për titull mes dy skuadrave, ku pati edhe tension e akuza në distancë?

Kam luajtur 7-8 vite tek Partizani dhe kam respekt maksimal për fanellën, por mbi të gjitha për tifozët e Partizanit, të cilët janë specialë. Në krahun tjetër tifozët e Kukësit janë si ata të Liverpulit, por mos të harrojmë që Kukësi është gjithçka për mua, është vendlindja ime, unë jam profesionist dhe jap maksimumin aty ku luaj. Ndeshja e fundit ishte shumë emocionuese për mua. Tensioni është normale që të ketë. Futbolli herë të gëzon dhe herë jo, kjo është e bukura e këtij sporti.

Nëse do të ishit ndodhur në situatën e Elis Bakajt, si do të vepronit? A do të luanit kundër Kukësit?

Unë e thashë dhe e them përsëri se jam profesionist, aty ku luaj jap maksimumin, por kuptohet të luash kundër Kukësit në ndeshjen e fundit që mund të dalë nga kategoria është shumë e vështirë, ndoshta mund të dëmtohesha në stërvitje, fati i keq (qesh).

9- Cungu, Duro, Shaqiri, me të tre Kukësi ka bërë mirë, por titullin e fitoi Ernest Gjoka. Ku ndryshojnë këta trajnerë dhe pse suksesi erdhi pikërisht këtë sezon?

Cungu trajner punëtor fjalëpak, por mbi të gjitha njeri shumë pozitiv. Duro shumë kërkues dhe nuk kishte frikë të rrezikonte, donte  shumë lojë sulmuese. Shaqiri kishte eksperiencë dhe ishte i qetë në bankinë, por duhet të ishte më kërkues ndaj lojtarëve. Gjithsesi ai bëri mirë në Kukës. Nestin e simpatizoj se është shumë kërkues në taktikë, kërkues në stërvitje dhe kërkon të fitojë çdo ndeshje. I jep qetësi skuadrës nga bankina.

Sa e lehtë është ta fitosh një titull në Kukës, krahasuar me kryeqytetin?

Në fakt me Partizanin shkova shumë afër, por nuk e arrita dot. Me Kukësin e mora me shumë sakrifica. Nuk ka ndonjë dallim për mua, nëse bëhet investim dhe menaxhim i mirë asgjë nuk të pengon.

A ke menduar ndonjëherë si presidenti Gjici, që ka thënë se Kukësi nuk respektohet sa duhet nga rivalët dhe mediat, pasi është qytet i vogël e pa histori të madhe në futboll?

Në fakt Kukësi është parë si qytet i vogël dhe pa histori në futboll. Ndoshta kanë pasur të drejtë, por tani çfarë do të thonë që kemi bërë historinë. Tani të gjithë na respektojnë, kështu që me punë arrihet çdo gjë.

Presidenti Safet Gjici është një person ambicioz, shumë kërkues dhe që nuk kënaqet lehtë. A jeni ndjerë ndonjëherë në siklet prej tij? A të kujtohet ndonjë episod ku ke thënë me vete “këtë radhë e teproi”?

Presidenti është person simpatik, ai ka zemër të madhe, ja kam thënë që ka stilin e psikologut, di të na nxjerrë nga emocionet, ndonjëherë bëhet me nerva, por ka nëse gjë të mirë se shumë shpejt i harron të gjitha. Kuptohet me një lojë të bukur e rezultate. Ndoshta nga që është edhe tifoz i Realit, do vetëm spektakël.

Jeni 33 vjeç, por keni bërë një sezon mjaft të mirë, aq sa është e vështirë t’iu quash veteran. Cilat janë planet e kapitenit “kur të rritet”?

Do të luaj dhe një vit futboll dhe më pas do të tërhiqem. Do të bëj maksimumin e mundshëm, pasi nuk më zë gjumi pa fituar dhe një trofe. Do t’ia arrij, për këtë kam shumë besim.

Pasi të lini futbollin, cilat janë planet tuaja? A keni ndërmend të mbeteni pjesë e futbollit? Nëse po, në çfarë roli, pasi shumë ish-futbollistë ndjekin kurse për trajner, ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë tepër të ndërlikuar këtë profesion?

Po, unë kam mbaruar kursin Uefa B dhe Uefa A. Mendoj dhe kam dëshirë të mbetem në familjen e futbollit. Kur të var këpucët në mur kam një pakt me presidentin. Më ka thënë: Do të jesh në staf. E vlerësoj shumë këtë gjë.

A jeni të vetëdijshëm se keni bërë diçka historike, apo do të duhet ende kohë sa të qetësoheni dhe të shijoni suksesit? Si ndihesh që do mbetesh në histori si kapiteni i triumfit?

Sigurisht, kemi bërë atë që në Kukës nuk e kishte bërë askush, me gjithë respektin për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite, në radhë të parë duke qenë kuksian në radhë të dytë si kapiten. Kënaqësia është shumë e veçantë që do mbahem mend gjatë për titullin e parë.

Çfarë u ke thënë shokëve para ndeshjes kundër Skënderbeut, apo ndonjë takimi shumë delikat këtë sezon? A ka pasur moment kur ke mbajtur ndonjë fjalim motivues?

Në çdo ndeshje i flas ekipit para se të dalim në fushë. Nuk flas asnjëherë pa u menduar dhe mundohem t’i largoj nga emocionet, këtë e studioj mirë. Para ndeshjes me Skënderbeun i kam thënë “këtë vit nuk ka shanse asnjë ekip të na thyejë, jo Skënderbeu, por askush. Ky ishte viti ynë, këtë ua siguroj unë, ju kam thënë se kur të bjerë bilbili ne do të jemi si gjithmonë fituesit”.

Jeni i kënaqur me atë që keni bërë në futboll? A keni ndonjë peng?

Jam i kënaqur, kuptohet, por mund te kisha bërë dhe më mirë. Dy gjëra kam peng: kur isha ne shkollën e mjeshtërisë sportive bëmë një ndeshje miqësore me Liteksin, me të rinjtë në Bullgari. Isha 16 vjeç, trajneri i ekipit A ndodhej aty ai me kërkoi me ngulm, shokët më thoshin çfarë po bënm pse nuk ikën, por nuk guxova. Kam dhe një peng, që nuk arrita të fitoja një titull me Partizanin, sepse e doja.

Shoku më i mirë në futboll?

Me Allmuçën jam rritur tek Partizani. Kemi kujtime shumë të bukura bashkë.

Rivali më i vështirë për t’u mbuluar këtë sezon?

Sigurisht, Latifi.  

Kukësi më i fortë që keni luajtur? Po më i bukuri?

Kukësi aktual.

Një kundërshtar i Superiores për të cilin ke menduar: Ky do na bënte shumë punë në skuadër?

Në fakt thosha për Berishën, ahh… sikur ta kishim.

Një mesazh për Partizanin, që është ankuar pa fund këtë sezon?

Partizani është mërzitur që nuk arriti tek titulli, prandaj ka qenë nervoz, por ne si Kukës i vlerësojmë dhe i respektojmë për historinë që kanë bërë.

Kush bie nga Superiorja këtë sezon, përveç Korabit?

No koment.

Po mbushen 9 vjet që nuk shënon në Superiore, a përbën problem kjo gjë?

Golat nuk janë problem për mua, unë dua të fus sa më shumë topa në zonën e kundërshtarit dhe të jem shumë fanatik në mbrojtje.

Për cilën skuadër bëni tifo, jashtë Shqipërisë?

Për Milanin.

 

Intervistoi: Jurgen Zela

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.