Hallaçi nuk e bën tragjike: Mjaft me polemika, rikthehemi me Teutën

0

Jurgen Zela

Barazimi me Vllazninë ishte vetëm një hap i gabuar, por në një pikë ku rikuperimi është ende i mundshëm. Java e 29-të do të rezervojë një tjetër sfidë mjaft delikate ndaj Teutës. Kapiteni i verilindorëve, Rraman Hallaçi, për “Sport Ekspres” ka folur rreth barazimit me Vllazninë, për gjykimit, sfidën e ardhshme me Teutën, sfidat e rivalëve dhe planet e së ardhmes.
Kapiten, barazim me Vllazninë në një pikë delikate. A mendoni se kishte eufori para ndeshjes?
Eufori nuk kishte aspak, pasi nuk kishte arsye. Ne nuk e kemi fituar kampionatin që të kishim eufori. Nëse do kishim fituar dy apo tre tituj, mund të flisnim për eufori. Barazimi nuk ishte aspak pozitiv për ne, pasi fundi i kampionatit po vjen dhe gabimet kushtojnë shumë. Ka ende shumë ndeshje dhe duhet në mënyrë urgjente, që nga ndeshja me Teutën të reagojmë dhe të marrim rezultatin pozitiv, që të futemi në valle, aty ku na takon.
-Flitet se lojtarët e Vllaznisë janë motivuar financiarisht nga ekipi i Partizanit. Ju e shihni si diçka të ndershme për kampionatin?
Nuk e di sa të vërteta janë këto gjëra. Ne si futbollistë nuk na interesojnë shumë, sepse ne kemi detyrë të merremi vetëm me atë që ndodh në fushën e lojës. Vllaznia erdhi dhe bëri një ndeshje të mirë, serioze. Kështu duhet të luajnë të gjitha skuadrat, pa marrë parasysh se kush do të jetë kundërshtari. Kampionatin do ta marrë ai ekip që e meriton. Unë e respektoj Vllazninë për ndeshjen që bëri, ne u treguam jo shumë të saktë para porte. Po të ishim më të qetë do të merrnim tre pikët. Nuk dua të merrem me problemet e tjera që mund të përfliten.

-Presidenti ishte shumë i indinjuar me gjykimin. Ju si lider brenda fushe, a e patë që psikologjikisht lojtarët u bllokuan pas pretendimit për 11-metërsh?
Sigurisht që arbitri pati ndikimin e tij, pasi normalisht nëse do të ishte akorduar 11-metërshi gjërat do të ndryshonin. Ne luanim me një skemë shumë sulmuese që në pjesën e parë, siç e kishim përgatitur ndeshjen. Nëse do ishte akorduar ai 11-metërsh do të ndryshonim vendosje dhe do të ishte shumë e vështirë që Vllaznia të vinte te porta jonë. Edhe ata kanë pretendimet e tyre, por nëse do ishte dhënë penalltia në favorin tonë, atëherë do të ishte një tjetër histori. Megjithatë nuk duhet të merremi shumë me arbitrin. Ai atë mendim ka pasur dhe do ia respektojmë mendimin. Ne do të vazhdojmë punën tonë dhe mendoj se me të gjitha mënyrat do ta kapim vendin e parë shumë shpejt.

-I druheni gjykimit në ndeshjet e ardhshme?
Mendoj se çdo gjyqtar i bën gabimet njerëzore, nuk mendoj se duhet të kemi frikë arbitrat, pasi kemi forcën tonë të grupit. Kam besim se do të dalim shumë shpejt te suksesi. Arbitrat duhet të bëjnë punën e tyre, me vetëdije maksimale për gjërat që bëjnë. Sigurisht duhet të kenë kujdes, sepse normalisht nuk duhet të hedhin poshtë investimin e madh që është bërë te skuadra jonë. Kujdesi duhet të jetë maksimal dhe duhet të jenë të përgjegjshëm.

-Sa ka ndikuar ndeshja me Vllazninë te gjendja e ekipit?
Barazimi normalisht na hoqi pak moralin, por në mënyrë urgjente duhet ta ngremë moralin dhe të marrim tre pikët me Teutën. Ishte një barazim surprizë, pasi se kishim menduar që do të barazonim me Vllazninë edhe pse e vlerësuam maksimalit. Futbolli i tillë është dhe duhet të respektojmë çdo rezultat.

-28 ndeshje, 14 fitore, 14 barazime asnjë humbje, mund të kishte bërë më mirë Kukësi?
Ne jemi të pathyeshëm sepse e kemi merituar plotësisht. Barazimet ndoshta nuk na kanë dhënë shumë pikë, por na kanë mbajtur kokën lart, sepse çdo skuadër lufton. Në çdo ndeshje ne hyjmë për të fituar, por jo gjithmonë arrihet. Besoj se barazimet na kanë vlejtur në një farë mënyre. Pathyeshmëria tregon se kjo skuadër është shumë e fortë dhe shpirti i garës është i jashtëzakonshëm. Ndeshja me Vllazninë iku dhe shpresoj që të na vlejë kjo pikë që morëm, sepse do të ishte katastrofë sikur të kishim humbur dhe ndeshjen, ndaj duhet t’i shohim gjërat drejt.

-E shihni Skënderbeun në luftën për titull?
E kam deklaruar dhe më parë që Skënderbeu nuk është larguar nga gara për titull, sepse është një skuadër me mjaft eksperiencë dhe me shumë tituj kampion radhazi. 5 pikë nuk janë shumë, por edhe pak nuk janë. Megjithatë, duke parë që ka ende shumë ndeshje, ata janë përsëri aty. Unë nuk e kam hequr asnjëherë nga gara për titull. Ne jemi të treja skuadrat në një garë që do të zgjidhet në javët e fundit.

-Sa do të vendosë takimi me Teutën?
Në mënyrë absolute nuk lejohet asnjë hap tjetër fals. Është një takim shumë vendimtar për ne, vendoset fati ynë në këtë ndeshje. Me patjetër duhet të marrim tre pikët, që të tregojmë se niveli i skuadrës tonë është aty ku e meriton, në vendin e parë. Në ndeshjen me Teutën do ta shikoni një skuadër të jashtëzakonshme, që do të luftojë në çdo cep të fushës, ashtu siç ka bërë në çdo ndeshje. Duhet trepikëshi, pasi nëse nuk ndodh, atëherë gjërat vështirësohen.

-Keni një mesazh për tifozët?
Tifozët e Kukësit duhet të na mirëkuptojnë për këtë gabim që bëmë me Vllazninë. I falënderoj shumë që na kanë mbështetur shumë, duke na treguar besimin e tyre që kanë ndaj nesh. Gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë pas ndeshjes. Ata nuk na kanë munguar asnjëherë dhe jam i bindur që do na mbështesin deri në sekondën e fundit të kampionatit.

-Cilat janë planet e kapitenit, pasi jeni lojtari me më shumë prezenca tek Kukësi?
Më e rëndësishme është të fitojmë titullin kampion, pak rëndësi kanë rekordet personale. Nëse arrijmë objektivin, do të isha shumë i kënaqur si fillim. Unë mendoj se kam mundësi reale, forma ime fizike është shumë e mirë dhe mendoj se duhet të jem në fushë edhe për dy sezone.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here