Hallaçi në rekorde,100 ndeshje në Kukës: Titulli ëndrra ime, e bëjmë realitet

0


Erjon Saliu
Kukësi nuk di të ndalet, madje dhe në “Loro Boriçi” ka arritur që të marrë një fitore të çmuar edhe pse të “ngushtë” me rezultatin 1-2. tri pikatë kanë mjaftuar që skuadra e trajnerit Artim Shaqiri të vijojë të jetë në krye të Superligës, duke treguar se është më se e vendosur që të fitojë titullin kampionë dhe tashmë synon që të bë shkëputjen me rivalët në betejën për kreun. Krahas fitores së arritur në Shkodër, ka qenë një ndeshje e veçantë edhe për kapitenin dhe kuksianin e vetëm tek skuadra e Artim Shaqirit. Rrahman Hallaçi, i cili luan në të majtë të mbrojtjes ka realizuar takimin nr. 100 me skuadrën e vendlindjes, duke thyer kështu një rekord personal, ndërsa pas turit të katërt të Kupave të Evropës, synon edhe titullin që është ëndrra e fëmijërisë por edhe e shumë kuksianëve. Në një prononcim enkas për “Sport Ekspres”, kapiteni i Kukësit, falënderon edhe tifozët për mbështetjen që i kanë dhënë, madje duke shpërndarë edhe një fotomontazh, ku shkruhet për 100 ndeshjet e zhvilluara me Kukësin në këto tre sezone. “Në radhë të parë,jam shumë i lumtur që e kemi nisur në mënyrën më të mirë të mundshme Vitin 2015, pasi kemi marrë një fitore të madhe në Shkodër me Vllazninë, një emër i madh në futbollin shqiptar dhe që në javët e fundit ishte duke kaluar momente shumë të mira. tri pikët na mbajnë në krye, duke konsoliduar edhe më tepër pozitat tona dhe ky Kukës po tregon se është në udhë të mbarë drejt realizimit të objektivit madhor, fitimit të titullit kampion. Si kapiten i Kukësit, unë gjej rastin që të falënderoj të gjithë lojtarët, shokët e mi që dhanë më të mirën e tyre. Jemi në rrugë të mbarë dhe duhet që të vazhdojmë kështu”, ka pohuar Hallaçi.
Rekordi – “Sukseset dhe rekordet e mia me Kukësin vazhdojnë, pasi në “Loro Boriçi”, ka qenë ndeshja ime e 100-me fanellën e Kukësit. pasi shijova eksperiencën e bukur në Superligë, shkuarjen deri në turin e katërt të Kupave të Evropës, tashmë përjetoj një sukses të veçantë në aspektin personal me skuadrën time të zemrës. tashmë unë dua edhe titullin, që është ëndrra ime qysh kur kam qenë fëmijë. Kam dashur që të kontribuoja për Kukësin në elitën e futbollit, nuk e mendoja se do të kishim një ecuri të tillë, kaq mbresëlënëse, por tashmë dua edhe titullin, që do të jetë rekordi i karrierës sime”.
Tifozët – “Ua jam shumë mirënjohës për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë gjithë karrierës sime, por edhe në Shkodër, ndërsa unë premtoj më të mirën,por edhe titullin” tha në fund të fjalës së tij kapiteni i kuksianëve, Hallaçi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.