Halili te Flamurtari: E prisja prej kohësh rikthimin!

0

Portieri vlonjat ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me klubin kuqezi dhe është mjaft entuziast, duke theksuar se objektivat e tij janë mjaft seriozë

 

 

Elton Nika

 

Flamurtari bën edhe afrimin e tretë zyrtar në merkaton e verës. Argent Halili ka nënshkruar dje me klubin vlonjat, duke u kthyer te skuadra e qytetit të tij, pas disa vitesh të suksesshme me Kukësin dhe më parë me Kastriotin. Vetë portieri pohon se dje në mesditë ka mbyllur gjithçka me drejtuesit e Flamurtarit. Për këtë lëvizje kishte kohë që flitej, që në ditët e para të merkatos, por gjithçka është konkretizuar dje dhe stafi teknik tashmë ka të gatshëm 3 portierë me përvojë, siç janë Ilion Lika, Klodian Xhelili dhe Argen Halili.

Pas një periudhe heshtjeje, klubi vlonjat i ka intensifikuar lëvizjen në merkato. Deri tani kanë ardhur në Vlorë kroati Çabraja, çeku Trap dhe portieri Halili. Ka një akord me qendërmbrojtësin Renato Malota, i cili pritet të firmosë pasi të mbyllë ndeshjet europiane me Kukësin. Shumë pranë firmës me kuqezinjtë është edhe mesfushori i majtë Ylli Hoxha, edhe ky, ashti si Halili e Malota, pjesë e Kukësit sezonin që shkoi.

Po nga Kukësi pritet të vijë edhe Gledi Mici, por ende nuk mund të flitet për një punë të mbyllur me këtë të fundit. Duke i marrë të mirëqena edhe lëvizjet që pritet të zyrtarizohen, duket e Flamurtari i ri ka nisur të kristalizohet. Trajneri Levi ka bërë me dije ditët e fundit se brenda kësaj jave pret në ekip disa përforcime të rëndësishme dhe drejtuesit e klubit po ia plotësojnë dëshirën. Përforcime, veçanërisht për sulmin, pritet të vijnë nga jashtë vendit.

HALILI – “Jam i kënaqur, që kam arritur një marrëveshje me drejtuesit e Flamurtarit, –  pohon për “Sport Ekspres” portieri Halili. – Kthehem pas disa vitesh te skuadra, ku jam rritur. Kam nënshkruar kontratën me Flamurtarin për sezonin e ardhshëm dhe  natyrisht që ndihem i lumtur për këtë gjë. Vij në një skuadër me pretendime të qarta dhe objektiva mjaft seriozë për sezonin e ardhshëm.

Pa dyshim që dua të jap kontributin tim për ta çuar Flamurtarin aty ku e dëshirojmë të gjithë të jetë. Eshtë një lëvizje, që e prisja prej kohësh dhe tashmë ndihem plotësisht i qetë, që më në fund jam kthyer te Flamurtari. Në skuadër janë edhe Lika dhe Xhelili, dy portierë të tjerë me mjaft cilësi dhe eksperiencë, por jemi të gjithë për të njëjtin qëllim këtu.

Do të jap gjithmonë maksimumin tim, në çdo moment, ashtu siç kam bërë kudo ku kam luajtur. E ritheksoj se e kam pritur me entuziazëm faktin që të luaj përsëri për Flamurtarin”, – ka përfunduar portieri vlonjat.

Argent Halili ka dalë nga radhët e skuadrës vlonjate. Ai është aktivizuar për dy sezone me Kastriotin, për të kaluar më pas në radhët e Kukësit, ku zhvilloi tre sezone mjaft të mira, por duke spikatur kryesisht në Kupat e Europës me skuadrën verilindore. Pas 5 vitesh është kthyer në Vlorë, ku ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare. Portieri Halili do të kryejë sot seancën e parë stërvitore me Flamurtarin, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit çek Levi.

 

3 portierë

janë tashmë në radhët e skuadrës vlonjate. Ilion Lika, Klodian Xhelili dhe Argent Halili janë të gatshëm për stafin teknik, ndërsa titullarin e portës e zgjedh trajneri i portierëve, Luan Birçe.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.