Halili mendon revolucionin, gjithçka nis nga trajneri

0

Tirana nuk ia doli të fitonte Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që kampionatin e mbyll në vendin e shtatë. Bardheblutë deri në javën e fundit nuk kishin siguruar mbijetesën dhe kjo situatë sigurisht i ka lodhur të gjithë, madje edhe vetë presidentin Refik Halili. Ndonjëherë duhen marrë vendime të vështira dhe numri një i klubit bardheblu këtë herë duhet të bëhet “i keq”.

Fillimisht ai duhet të analizojë çka nuk shkoi gjatë sezonit të shkuar. Merkatoja nuk është se ka rezultuar e suksesshme. Berisha dhe Blazhevski u larguan që në janar, ndërkohë që Atinga është dashur shpesh të qëndrojë në tribunë.

Edon Hasani ishte goditja, Kobinah me luhatje. Eni Imami, i përshtatur si qendërmbrojtës, as nuk ka pse gjykohet. Në një pozicion jo tijin ka bërë maksimumin. Oduamadi nuk duhet harruar, pasi do të mbahet mend vetëm për zhurmën e krijuar në media me titujt: “Tirana firmos me lojtarin e Milanit”.

Nga analiza e bardhebluve padyshim duhet të dalë edhe lista e atyre lojtarëve që duhet të bëjnë gati valixhet. Halili kur ra nga Superiorja nuk e pati guximin të largonte lojtarë, këtë herë zor se do veprojë njëlloj.

E ARDHMJA E MEMËS – Vetë trajneri e ka thënë qartë: “Unë nuk pranoj të qëndroj asnjë sekondë nëse nuk bëhen gjërat ashtu si them unë. Mund të largohem, nuk është problem fare”. Presidenti Halili duhet të ndajë mendjen nëse do ia besojë ndërtimin e ekipit trajnerit Ardian Mema, sigurisht në bashkëpunim me drejtorin sportiv.

Që trajneri të marrë përgjegjësi, atëherë duhet të thotë fjalën e fundit. Këtu nis gjithçka te Tirana dhe numri një i klubit duhet të vendosë përfundimisht se çfarë do të bëjë. Tre sezone me Tiranën në “ujëra të turbullta” janë shumë dhe duhet gjetur një zgjidhje që t’i rikthejë 24 herë kampionët e vendit të luftojnë për kreun.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.