Halili: Jemi ekipi më i persekutuar, nuk i kemi më borxh asnjë lojtari

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka qenë i ftuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, ku ka folur mbi shumë tema që prekin klubin kryeqytetas.

KAMPIONATI –  “Emocionet tani janë të mëdha. Vetë personalisht kam qenë vetë shumë të qetësuar. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të punojmë. S’kemi më kohë për të gabuar. Duhet të punojmë shumë me skuadrën në të ardhmen. S’duhet që ekip të vuajë deri në momentet të fundit. Duhet që skuadra të rikthehet aty ku i takon”.

DERBI “Mendjen e kemi te ndeshja e radhës në Kupë. Përsa i përket derbit, nuk është nevoja që t’u themi futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Në derbi futbollistët janë 10-fish të impenjuar. Mendoj se skuadra do të ketë një mobilizim akoma dhe më të madh për vetë fakt të pozitës jo të mirë që kemi në klasifikim”.

BAKAJ – “ (Ishte në lidhje direkte në emision) Elisit i uroj të jetë mirë. Gëzohem që e dëgjoj. Nuk kemi kontakte të shpeshta, por kemi mall. Kam kaluar mirë me Elisin. Negociatat për kontratë me të nuk kanë zgjatur më shumë se 10 minuta, si rrallëherë me futbollistët”.

BORXHET – “Avash avash po shkojmë drejt pastrimit të klubit përsa i përket situatës së borxheve. Tani mund të them në aspektin e borxheve sportive. Nuk më thuajse asnjë detyrim ndaj lojtarëve. Mendoj se deri në 31 dhjetor të këtij viti, klubi do të jetë krejtësisht i pastruar nga borxhet. Të gjitha gjërat janë të dokumentuara”.

BILANCET  DHE EUROPA – “Kemi ndërtuar gjithmonë një skuadër me emra të mirë lojtarësh, por fakti është që kemi pësuar rezultate të dobëta. Kjo paraqitje ka sjellë humbje të mëdha financiare, thuajse 800 mijë euro në vit që nga viti 2014. Shpresojmë që këtë vit të marrim pjesë Kupat e Europës. Për këtë kemi bërë një marrëveshje, ku kemi shlyer një pjesë të madhe të detyrimeve tatimore. Kemi një strukturë të mirëorganizuar dhe akademi me lojtarë të dalluar që janë pjesë e kombëtares së moshave”.

MARRËDHËNIA ME BASHKINË – “Marrëdhënia ka qenë e mirë. Kam folur shpesh me punonjës të bashkisë, kanë qenë afër klubit. E kanë parë se në futboll nuk ka fitime dhe kanë menduar që të nxjerrin në shitje pjesën e tyre të aksioneve. Kanë bërë një vlerësim, ditën e hënë do të marr më shumë të dhëna. Më duhet të presim vendimin e Këshillit Bashkiak. Aksionet kur të dalin në shitje, do të kenë me vete dhe pjesën e borxhit. Borxhi është rreth 900 milionë lekë të vjetra. Ai që do të blejë aksionet do të blejë edhe pjesën e borxhit. Në momentin e daljes në shitje do të shikoj çfarë kërkesash do të ketë. Mua nuk më kanë kontaktuar njeri për të marrë mendim si zotërues i 66% të aksioneve. Kushdo që të jetë unë garantoj që do të ketë një raport të shkëlqyer me mua. Do jem bashkëpunues i sinqertë”.

KONTAKTE NGA BIZNESMENË TË TJERË – “Kam pasur kontakte me biznesmenë që janë shumë të njohur në Shqipëri. I kam shpjeguar bilancet, të ardhurat dhe borxhin e klubit. Më kanë kontaktuar dy kompani të fuqishme, por ndoshta janë konsultuar dhe me bashkinë”.

ASETET – “Lodhja dhe mundi ka qenë shumë i madh.  Blerësit janë paksa të trembur për shkak se situata e borxheve është fryrë nga media të ndryshme. Unë jam i bindur se ne mund të gjenerojmë të ardhura të shumta nëse Tiranës do t’i jepen asetet si fusha e aneksit, parkingu përballë stadiumit”.

TENSIONI NË NDESHJEN E SKËNDERBEUT – “Në Shqipëri kur shënohet gol ndodh që të thuhet ndonjë llaf. Me Skënderbeut ndodhi kjo gjë dhe më pas pati një debat. Për një gjë kaq të vogël u bë sikur ndodhi diçka tragjike”.

DËNIMET ME DYER TË MBYLLURA – “Përsa i përket dënimeve kemi qenë klubi më i persekutuar ndër vite. Ndër vite dënimet e tifozëve na kanë kushtuar rreth 240 milionë lek të vjetra. Janë përdorur dy standarde, klube të tjera janë dënuar me vetëm një ndeshje. Kam folur me presidentin Armando Duka, por ai më ka thënë se vendimet merren nga komisione te pavarura. Këto komisione përdorin dy standarde, duhet që duke filluar nga tani në këto komisione të vendosen njerëz që e njohin ligjin”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *