Halili i kënaqur: Ndeshje dinjitoze, të rinjtë ia vlejnë

Presidenti Halili u duk i kënaqur pas ndeshjes dhe në një prononcim të shkurtër për “Sport Ekspres” e konsideroi lojën e skuadrës së tij pozitive

Gjergji Stefa

Tirana ka treguar shpesh fytyra të ndryshme në sezonin e fundit futbollistik, duke arritur të mundë Skënderbeun dhe të bëjë paraqitje shumë të mira, por është ndalur edhe nga Korabi kur nuk kishte asnjë objektiv. Gjithsesi kampionati ka ikur dhe tashmë 24-herë kampionët e vendit janë rikthyer në arenën evropiane. E nisën me një humbje 2-0 me Makabin e Tel-Avivit, por nuk ka zhgënjim. Presidenti Halili u duk i kënaqur pas ndeshjes dhe në një prononcim të shkurtër për “Sport Ekspres” e konsideroi lojën e skuadrës së tij dinjitoze. Mendja i mbetet sërish te kampionati dhe rënia nga kategoria, pasi fjalët e tij të para i lidh pikërisht me atë ngjarje shumë të dhimbshme për gjithë familjen e madhe bardheblu.

“Vërtetuam edhe njëherë se nuk ishim ne skuadra për të rënë nga kategoria”, ishin fjalët e para të Halilit, ndërkohë që më pas për ndeshjen shtoi: “Bëmë një ndeshje dinjitoze, në të cilin u mundëm me rezultatin 2-0. Jam i kënaqur nga lojtarët e rinj. Nuk duam të flasim për kualifikimin”. Numri një i klubit të Tiranës e di shumë mirë se për të kaluar më tej është një mision i pamundur, por i intereson që morali i skuadrës së tij të jetë lart. Edhe nëse nuk kalon më tej, me rëndësi do jetë që ndonjë prej “xhevahireve” të klubit të shitet dhe nuk do të ketë keqardhje, pasi të tjerë po prodhohen në akademinë e klubit. Bilancet janë të rëndësishme dhe futbollistët duhet të luajnë edhe 90 minuta të tjera për veten dhe klubin. Nuk ka asnjë presion, vetëm të hyjnë në fushë dhe të japin më të mirën. KY është misioni i tyre i vetëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *